Implementimi i marrëveshjes së lehtësimit të marrjes së vizave për shtetasit shqiptare që udhëtojnë drejt Evropës, dhe anasjelltas, por edhe inaugurimi i segmentit Rrëshen-Kalimash ka rritur në mënyrë të ndjeshme statistikat e hyrje-daljeve në pikat e kalimit kufitar.
Nikollë Ndoci, drejtor i kalimit të kufirit në drejtorinë e përgjithshme të policisë pohon se nga Qershori e deri më tani ka një fluks shumë më të lartë lëvizje sesa vitin e shkuar.
Nikollë Ndoci: “Janë 46 mijë shtetas shqiptarë të cilët kanë hyrë më shumë sesa vitin 2008 për të njëjtën periudhë për të cilën flasim. Njëkohësisht rreth 26 mijë shtetas të huaj më shumë sesa në vitin 2008. Ndërsa në dalje janë 33 mijë shtetas shqiptar të cilët kanë lëvizur më shumë sesa në vitin 2008 dhe 12 mijë shtetas të huaj dhe mjetet në përdorim të tyre kemi 65 mijë mjete më shumë. Pra siç shikoni ka në rritje të konsiderueshme të fluksit në pikat e kalimit kufitar”.
Sipas tij një nga shkaqet që ka çuar në këtë shpeshtim të lëvizjes ka qenë posaçërisht edhe segmenti Rrëshen-Kalimash, i cili lidh Shqipërinë me Kosovën. Ndoci u shpreh se fluksi ka qenë i jashtëzakonshëm.
Nikollë Ndoci: “Kemi patur një numër të konsiderueshëm të hyrjes e daljes së shtetasve të Kosovës, por edhe të shtetasve shqiptar. Për këtë kemi patur një bashkëpunim shumë të mirë me homologët në Kosovë, po punojmë me lista paraprake të agjencive turistike, kemi hapur një pikë lokale të kalimit kufitar në kufi me Kosovën, shpresojmë jemi të angazhuar për hapjen e 4 pikave të tjera të kalimit kufitar me Kosovën të cilat pa dyshim ndjeshëm do të ndikojnë dhe në përballimin e fluksit”.
Sipas Ndocit bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit ka bërë që të zbatohet praktika “një ndalesë, një kontroll” duke u përqendruar jo vetëm tek rutina por edhe tek komunikimi me personat që vizitojnë Shqipërinë./tvklan.al
Gazetari: Julian Kasapi