Tuneli në Thirrë-Kalimash në rrugën Durrës-Kukës nuk ka pësuar asnjë avari gjatë ditës së enjte.

Së bashku me grupin tonë të xhirimit kemi qenë pikërisht në këtë tunel për ta vërtetuar.

Tunelin e kemi përshkruar dy herë në një kohë prej rreth 7 minutash dhe gjithçka ka qenë mese normale.

Gjatë gjithë kohës në të dy anët e tunelit ndodhen skuadra të sigurisë, të cilat bëjnë shoqërimin e automjeteve brenda në tunel duke i drejtuar edhe në pjesët e pabetonuara ende ku është vendosur rrjeta.

Gazetari: “Këtu ndodhemi në fund të tunelit Thirrë-Kalimash prej 5.5 kilometrash të gjatë.”

Siç mund ta shihni edhe nga pamjet për asnjë moment trafiku nuk është ndaluar, madje automjetet kanë vazhduar të qarkullojnë normalisht.

Fakti që në tunel nuk ka patur asnjë lloj problemi konfirmohet edhe nga vetë operatorët e sigurisë, madje ata theksojnë se janë çuditur kur kanë dëgjuar një lajm të tillë, pasi tuneli është tepër i sigurt.

Edrion Laçi: “Edhe ne dëgjuam ca zëra që na thanë që ka dalë te ca televizione që sikur ka pas një shembje në tunel, por këtu ka vazhduar qarkullimi normalisht gjatë gjithë kohës. Nga mëngjesi deri në darkë, 24 orë, nuk ka pasur asnjë avari, asnjë shembje. Çdo makinë që kalon këtu shoqërohet nga katër makina të firmës tonë”.

Tuneli i rrugës Rrëshen-Kalimash është inauguruar në datën 31 Maj nga kryeministri Sali Berisha në një ceremoni simbolike së bashku me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi./tvklan.al

Gazetar: Eno Luarasi