Respekti dhe dashuria do të mbeten, pavarësisht se si kanë shkuar gjërat. Dhe duke qenë se ka vërtet respekt dhe dashuri, Milani synon ta përshëndesë siç duhet Stefano Piolin.
Në prag të ndeshjes finale të sezonit kundër Salernitana, klubi kuqezi do të komunikojë zyrtarisht përfundimin e marrëdhënies me trajnerin aktual një vit përpara afatit të përcaktuar në kontratë.
Do të jetë një lamtumirë e përzemërt, bazuar në mirënjohjen ndaj një trajneri që mbyll një periudhë pesëvjeçare padiskutim pozitive, përvec sezonit aktual nën pritshmëritë dhe mundësitë që pati skuadra.
Në asnjë moment klubi nuk do ta konsiderojë këtë ndarje si shkarkim të trajnerit. Shenjë kjo që tregon se mes palëve ka patur një dakordësi për t’i dhënë njëri-tjetrit lamtumirë.
Mesa duket trajneri ka pranuar të mos paguhet për pjesën e mbetur të kontratës, ose ka marrë një dëmshpërblim që nuk do të peshojë në arkat e klubit.
Për miqësoren kundër Romës në Australi më 31 Maj, skuadra duhet t’i besohet zv/trajnerit Daniele Bonera.
Tv Klan