Maks Rama, gazetari i Klan News ndjek nga ‘fan zone’ çdo ndeshje të Euro 2024 duke përcjellë në ekran atmosferën e secilës prej tyre. Një eksperiencë që ai e përshkruan në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan si adrenalinë të vërtetë,  por veçon mbrëmjen e së shtunës.

Ndeshja Shqipëri-Itali e kishte mbuluar sheshin “Skënderbej” me ngjyrat  kombëtare dhe pamja ishte e mrekullueshme. Gazetari tregon edhe disa prapaskena të asaj mbrëmjeje ku intervistoi edhe kryebashkiakun Erion Veliaj dhe s’e kanë kuptuar aspak barazimin e Italisë.

Maks Rama: Unë po bëhesha gati për raportimin e radhës dhe si papritur e pa kujtuar, u bë goli në 23 sekondat e para dhe gjithë sheshi po brohoriste. Ishte shumë e habitshme, askush nuk e priste dhe ka qenë një atmosferë fantastike.

Ermelinda Ndoja: E humbe, nuk e pe golin?

Maks Rama: Nuk e shijova në një lloj mënyre sepse do të bëja gati kufjet, mikrofonin, kjo pjesa teknike…

Ermelinda Ndoja: Me kryetarin e bashkisë Erion Veliajn. Domethënë z. Erion Veliaj s’e paska parë momentin e golit.

Maks Rama: Po, qëlloi që po bëja një intervistë live te sheshi “Skënderbej” me kryebashkakun Erion Veliaj dhe në atë moment ishte Shqipëria 1-0. Gjatë bisedës që sa kishte nisur, ne ishim me shpinë nga monitori i  madh që është te sheshi “Skënderbej”, bëri gol Italia dhe ne nuk e dinim duke qenë se po të kishte bërë Shqipëria do të kishte shpërthyer i gjithë sheshi me zhurmë, ndërsa meqë e kishte bërë Italia kishte një qetësi, edhe pse pati në fakt tifozë italianë. Kishte përfaqësues nga ambasada italiane, ishte ambasadori italian dhe disa tifozë, por duke qenë se nuk pati ovacione ne nuk e kuptuam dhe në fund…

Agida Koçi: Ndoshta edhe ata vetë janë stepur për të bërtitur në atë lumë të madh shqiptarësh.

Maks Rama: Mund të jetë edhe kjo, kur përfundoi biseda e shkurtër, moderatori në studio më tha “në fakt tashmë rezultati është 1-1”, aty e kuptuam./tvklan.al