Gazetari Enton Abilekaj thotë se nëse ish-Presidenti Ilir Meta do të dalë i pafajshëm, atëherë do të duhet që paratë për dëmshpërblimin e tij t’i paguajnë qytetarët shqiptarë.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Abilekaj shprehet se ish-Presidenti Ilir Meta mund të hetohej në gjendje të lirë derisa gjykata të merrte një vendim lidhur me dosjen për të cilën ai akuzohet.

Blendi Fevziu: Si e pe procesin e sotëm ndaj Metës?

Enton Abilekaj: Vendimi për Metën duhet parë në kuadër të të gjithë dosjes sepse nuk mund të themi nëse ka një dënim me shumë vite, masa e sigurisë që ka kërkuar Prokuroria mund të jetë e drejtë. Në parim mendoj se një ish-President, i cili ka pasur një raport korrekt me thirrjet e SPAK-ut për hetim dhe ka një aktivitet politik, mund të ndiqej në gjendje të lirë me një masë tjetër kufizuese më të lehtë. Siç ka raste edhe në botë.

Duhet qenë se është një person nën hetim, mund të ndiqej në gjendje të lirë. Kur merren hapa të tillë të arrestimit të një figure politike aktive dhe për më tepër ish-President, dosja duhet të jetë e plotë dhe aq e qartë sa të mos ketë mundësi që të dalë i pafajshëm. Nëse Meta del i pafajshëm, paratë do i paguajmë ne, siç ka ndodhur. Dëmshpërblimi do të jetë shumë i madh sepse është një figurë politike në aktivitet dhe me një imazh të caktuar. Mund të jenë miliona Euro që do i paguajmë kot. Prandaj mendoj se duhet të ishim më të kujdesshëm.


/tvklan.al