Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka raportuar në Kuvend ditën e sotme për punën e institucionit të tij për vitin 2023.

Gjatë pyetje-përgjigjeve në Parlament, deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi i ka drejtuar disa pyetje kryeprokurorit për çështje të ndryshme, një nga të cilat të japë informacion për shtesat dhe katet pa leje në kullat e larta dhe çfarë ndodh me procedimet penale në këtë aspekt.

Deputeti Gazment Bardhi: Publikisht por edhe gjatë raportimit të para 2 viteve tuaj në Kuvendin e Shqipërisë janë denoncuar dhjetra apo qindra raste të ndërtimeve dhe shtesave pa leje në kulla dhe ndërtime të larta, kryesisht në Tiranë dhe në bregdet. Kjo më pas u konfirmua edhe nga institucionet përgjegjëse, të cilat nëpërmjet akteve të Këshillit Kombëtar të Territorit vendosën me procedurë dyshim konfiskimi dhe më pas shitje tek të njëjtit persona të këtyre ndërtimeve pa leje. Ju kam kërkuar informacion zyrtar, por përgjigjia juaj ka qenë që ju nuk keni informacion, pra praktikisht paguheni kot si Prokuror i Përgjithshëm, që kështu e shfrytëzoj këtë seancë për të pyetur a ka patur hetime, procedime apo dënime nga Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm lidhur me këto raste?

Kryeprokurori Olsian Çela: Sa i përket çështjes së ndërtimeve pa leje, kjo është një çështje që është trajtuar me seriozitet nga ana e prokurorive. Në kuadër të një organizimi të mbledhjes së përgjithshme të prokurorëve, u kam kërkuar të gjitha Prokurorive ta trajtojnë me vëmendje maksimale këtë çështje, pasi është mjaft shqetësuese që në këtë periudhë që po kalon vendi ende të vuajmë nga fenomeni i ndërtimeve pa leje. Ju po, i keni drejtuar një kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme për marrjen e informacionit për këto çështje dhe ju kemi sqaruar që të dhënat statistikore që disponon Prokuroria e Përgjithshme janë të dhëna të përgjthshme, ndërkohë që informacioni specifik se çfarë është bërë me çështjet konkrete, informacioni që ju keni kërkuar mbi kërkesat për gjykim apo dënimet, duhet ta merrni pranë Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm që e disponojnë këtë informacion. Megjithatë, për t’ju përmbushur sadopak kërkesën tuaj për informacion, përgjatë vitit 2024 Prokuroritë një pjesë të këtyre çështjeve e kanë dërguar tashmë për gjykim.

/tvklan.al