Instituti i Monumenteve të Kulturës ne qytetin e Korçës ka gjobitur me 500 mijë lekë restauruesin e shtëpisë së patriotit të njohur, Themistokli Gërmenji.
Përveç funksionit të saj muzeal ajo shërben prej vitesh edhe si ambient çlodhës, por duke i konsideruar ndërhyrjet në konstruksionin e godinës si të paautorizuara nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, ky i fundit ka vendosur ta penalizojë atë.
Ilir Voci: “Inspektori i monumenteve të kulturës me profesion jurist erdhi dhe më dha gjobën ku më akuzonte për një restaurim të vilës të ndodhur para dhjetë vjetëve që unë kam ndryshuar volumet, zgjidhjen planimetrike dhe elemente të tjera të këtij objekti”.
Auron Tare: “Një monument si vila e Themistokliut, e restauruar me të gjitha kriteret e mundshme që mund të restaurohet dënohet dhe penalizohet sepse është e restauruar dhe monumentet e tjera në këtë qytet, të cilat shteti i ka për detyrë t’i ruajë, t’i mirëmbajë e të tjerë, e të tjerë po bien, po shkatërrohen dhe askush nuk bën asgjë”.
Maks Velo: “Të jemi realist. Ajo ishte si ç’ishte dhe kështu shtëpi të tilla në Korçë ke sa të duash dhe nuk mund t’i marrësh kriter ti që ajo duhet të qëndrojë ashtu sepse kjo s’ka qenë kishë”.
Drejtori i Monumenteve të Kulturës thotë se polemikat lidhur me restaurimin e vilës “Themistokli”, janë me të hershme dhe për këtë përdoruesit e saj janë paralajmëruar disa herë
Dhori Theodhori: “Ilir Voci ka probleme ligjore me ne, si dhe drejtorinë rajonale të monumenteve të kulturës. Ka shkelur ligjin. Nuk është marrë asnjë leje nga zotëria në fjalë, pra Ilir Voci të gjithë ndërhyrjet në objektin e muzeut të Themistokli Germenjit e ka bërë pa leje. E ka transformuar plotësisht atë. Shikoni shtëpinë e vilës së Themistokliut si është abandonuar e çfarë është kthyer ajo vilë. Është me beton, me dyer të hapura, me hekura”.
Vila e patriotit të njohur ndodhet në qendër të qytetit të Korçës. Ajo është një prej banesave karakteristike dhe për vlerat që mbart është klasifikuar si monument kulture./tvklan.al