Studiuesi Auron Tare ka sjellë disa detaje në studion e emisionit “Opinion” për jetën e Nexhmije Hoxhës, gruan e ish-diktatorit Enver Hoxha, e cila ndërroi jetë këtë të mërkurë në moshën 99-vjeçare.

Tare tha se amerikanët në vitet 1960 kishin bërë një raport se çfarë do të ndodhte me Enver Hoxhën nëse Nexhmija do të humbte jetën. Por sipas studiuesit, Nexhmije Hoxha tejkaloi të gjitha parashikimet e amerikanëve pasi jetoi për pothuajse një shekull.

“Dikur në vitet ‘60 amerikanët ishin shumë të interesuar për rolin e saj dhe kanë bërë një raport, një lloj memo të gjatë: nëse ajo do të vdiste çfarë do të ndodhte? Është shumë interesante. Analizonin se çfarë do të ndodhte me Enverin nëse do të vdiste Nexhmija. Çuditërisht Enveri i kaloi të gjitha parashikimet e amerikanëve, pra vdiq pas 50 vjetëve. Nuk e di pse është bërë ky raport. Mendohet se me vdekjen e saj, Enveri do të bashkohet më shumë me Metin seç është në atë kohë. Është shumë interesante”, tha Tare.

Tare tha se ajo ka pasur një rol shumë të madh gjatë kohës që Enver Hoxha erdhi në pushtet, por edhe më tej. Ai solli një tjetër detaj interesant që e kishte zbuluar pas një interviste me Nexhmije Hoxhën pas viteve 1990.

“Unë e kam takuar një herë vetëm, kam qenë me një gazetar të huaj pas viteve ‘90. Na ka mbajtur gjatë tek ish-Pularia dhe e kemi pyetur se pse kur u prishëm faktikisht me rusët, pse nuk u tentua një kontakt me perëndimin. Ajo më tha se ne i kontaktuam amerikanët, por nuk na kthyen përgjigje. Mua mu duk përrallë, por kam gjetur dokument në arkivin amerikan, ku thotë që ambasadori shqiptar në Paris ka bërë tentativa për bisedime me amerikanët dhe mbi dokument është një shënim i drejtorisë përkatëse ku thotë që nuk do t’i kthehet asnjë përgjigje shqiptarëve”, tha Tare./tvklan.al