Lajme Arkiva 2003
Policia dhe prokuroria po përpiqen të bien në gjurmët e autorit të vrasjes së shoferit të kryeprokurorit Sollaku edhe nëpërmjet identifikimi te numrave të telefonit, që ai mund të ketë përdorur.
Një ditë pas ngjarjes burimet e prokurorisë deklaruan se autori kishte thirrur një taksi për të lëvizur bashkë me të dashurën e tij gjë e cila u ka shërbyer hetuesve të kërkojnë për numrin e përdorur prej tij.
Megjithatë dihet se identifikimi i personave në këtë mënyrë mbetet i vështirë, pasi kartat e telefonit celular i shiten kujtdo. Madje pak muaj më parë ky ka qenë shqetësimi i vetë prokurorisë e cila u kërkoi dy kompanive të telefonisë celulare AMC dhe Vodafone t’ua shesin numrat personave të identifikuar. Gjë që mesa duket ka qenë e pamundur përderisa shitja e kartave është bërë si më parë.
Ndërkohë nga ana e saj policia ende nuk ka shpërndarë identikitin e autorit të mundshëm të vrasjes së bujshme, ndërsa shoferi i taksisë që shoqëroi vrasësin e ka dhënë disa ditë më parë përshkrimin për pasagjerin i cili e kreu me gjakftohtësi të plotë vrasjen e punonjësit të gardës Genti Sina.
Prokuroria më në fund e ka ndryshuar në një farë mënyre versionin sipas të cilit vrasja ndodhi për një motiv krejt banal dhe ka pranuar se ngjarja e ndodhur në mes të bulevardit ka si autor një vrasës profesionist./tvklan.al