Policia e Shtetit ka anuluar lejet vjetore të planifikuara të efektivëve të policisë për periudhën e sezonit turistik 2024.

Sipas urdhrit më të fundit të firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, anulimi i pushimeve bëhet me qëllim përballimin e shërbimeve të planifikuara nga strukturat e Policisë së Shtetit për sezonin veror 2024.

“Të anulohen pushimet vjetore të planifikuara të vitit 2024, në periudhën nga data 20 Qershor 2024 deri në datën 15 Shtator 2024, për të gjitha strukturat operacionale të Policisë së Shtetit, të cilat ngarkohen me detyra për sigurinë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik veror“, thuhet në urdhër.

Sipas dokumentit, drejtuesit e strukturave qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, si dhe të strukturave të veçanta duhet të riplanifikojnë kryerjen e pushimeve vjetore të punonjësve të policisë që për periudhën e mbetur deri në fund të vitit kalendarik 2024.

Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohen drejtuesit e drejtorive vendore të policisë, drejtorive vendore të kufirit dhe migracionit, komisariateve të policisë dhe strukturave të veçanta.


Me qëllim, përballimin e shërbimeve të planifikuara nga strukturat e Policisë së Shtetit gjatë sezonit turistik veror 2024;

URDHËROJ:

1. Të anulohen pushimet vjetore të planifikuara të vitit 2024, në periudhën nga data 20 Qershor 2024 deri ne datën 15 Shtator 2024, për të gjitha strukturat operacionale të Policise së Shtetit, të cilat ngarkohen me detyra për sigurinë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik veror.

2. Drejtuesit e strukturave qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, si dhe të strukturave të veçanta, te riplanifikojnë kryerjen e pushimeve vjetore të punonjësve të policisë që u anulohet kryerja e tyre, për periudhën e mbetur deri në fund të vitit kalendarik 2024.

3. Drejtuesit e strukturave qendrore dhe vendore të policisë, si dhe te strukturave të veçanta, deri në datën 25.06.2024 të informojnë Drejtorinë e Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për numrin e punonjësve sipas strukturave që u janë anuluar pushimet vjetore të planifikuara, për shkak të shërbimeve që do të kryhen për garantimin e sezonit turistik veror 2024.

4. Drejtoria e Burimeve Njerëzore, deri në datën 01.07.2024 të informojë Drejtorin e Përgjithshëem të Policisë se Shtetit.

5. Në raste të veçanta për arsye të motivuara, drejtuesit e strukturave policore, të miratojnë pushime të pjesshme vjetore për punonjësit e policisë të varësisë.

6. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohen, drejtuesit e drejtorive vendore të policisë, drejtorive vendore të kufirit dhe migracionit, komisariateve të policisë dhe strukturave të veçanta.

7. Për kontrollin e zbatimit të detyrave të përcaktuara në këtë urdhër ngarkohen, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtorët e departamenteve dhe drejtori i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore.



/tvklan.al