Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Policia e Vlorës ka arritur të sigurojë provën kyçe për rrëmbimin e Klajdi Shehut. Është nxjerrë nga një rezervuar në afërsi të fshatit Vajzë, makina me të cilën është transportuar djali i marrë peng natën e rrëmbimit.

Makina ishte hedhur në një rezervuar në një thellësi 15 metra, për të humbur provat e krimit dhe në të janë gjetur gjithashtu një maskë dhe një automatik Zastava. Në dëshminë e tij pas lirimit, Klajdi Shehu rrëfeu se në momentin kur po lëvizte me makinën e tij, u detyrua të frenonte pasi i doli përpara një mjet pa targa.

Klajdi Shehu:- “Pasi më bllokuan rrugën me një makinë, me forcë më janë futur brenda në makinë nga pas, nuk i kam parë tre persona, të cilët nuk munda t’i identifikoja dhe që prej andej jemi nisur në drejtim të paditur, sepse mua më kanë prangosur dhe me një maskë në kokë ku nuk mund të shikoja asgjë”.

Po me këtë makinë u bë transporti i viktimës, ndërsa pas lirimit të pengut, rrëmbyesit e hodhën atë në rezervuar, për ta eliminuar si provë materiale. Por policia është vënë në dijeni për këtë veprim të rrëmbyesve dhe është bërë nxjerrja e makinës nga rezervuari. Mjeti ishte pa targa po pritet të gjendet numri i shashisë. Gjithashtu, burime policore bëjnë të ditur se në makinë u gjendën edhe disa dokumente dhe prova të tjera që ndihmojnë në rezultatet e hetimit.

Tashmë policia ka arrestuar Besnik dhe Luan Saraçin, Elton Dervishin, Besnik Gjatën, si dhe inspektorin e policisë së Vlorës Perlat Kodhelin, si autorë dhe bashkëpunëtorë në rrëmbimin e nipit të biznesmenit Shehu. Në kërkim është shpallur dhe Julian Metushi, i cili nuk është arrestuar ende nga forcat policore.

Banda e personave pengmarrës u detyrua ta lironte 20 vjeçarin, pasi e panë veten të izoluar nga policia, e cila nëpërmjet rrjetit telefonik, kishte arritur të identifikonte zonën ku vepronin pengmarrësit dhe të mbante atë nën kontroll. Megjithëse nuk u kapën në flagrancë, pengmarrësit u arrestuan, pas një operacioni, të forcave policore të Vlorës, në fshatrat afër Kaninës./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj