Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Pengmarrja e një pjesëtari të familjes së miliarderit Sulo Shehu, njëri prej biznesmenëve më të pasur në Vlorë, ishte planifikuar që muaj më parë. Gjatë një panairi makinash në Itali, një prej personave sot në pranga, Besnik Gjatës, i lindi ideja t’i vendoste një gjobë të majme biznesmenit të njohur. Por do të kalonin disa muaj, derisa Besnik Gjata të vendoste të kthehej në Shqipëri, pas lajmit se nëna e tij ishte shumë e sëmurë.
Në këtë kohë Besniku mbledh rreth vetes miq të vjetër, me të cilët më vonë hartoi dhe organizoi në 21 Prill, të hënën e shkuar në orën 20:30 minuta të mbrëmjes, rrëmbimin e Klajdit, nipi i biznesmenit, të cilin sipas planit të hartuar do ta lironin, vetëm pasi të kishin marrë shumën e majme që do të paguante familja.
Të hënën e javës që kaloi, 20 vjeçari Klajdi Shehu, dilte nga palestra në një zonë të lagjes “Çole”, që ndodhet në periferi të qytetit të Vlorës. Tre njerëz të armatosur, Luan Saraçi, Besnik Saraçi dhe Elton Ismaili, ishin në pritë prej disa orësh, gati për të rrëmbyer Klajdin, një skenë që është parë edhe nga një i afërm i familjes Shehu dhe mik i ngushtë i 20 vjeçarit.
Krenar Mehmeti:- “Ka qenë rreth orës 8:30, ose 8:45 dhe me Klajdin jam shkëmbyer diku tek kjo rruga këtu dhe nuk e kishte mendjen, mu duket sikur ishte duke folur në telefon, sepse nuk e ktheu kokën nga mua dhe unë po e shikoja dhe mu duk çudi si ishte në atë orë në këtë rrugë, se kjo është në periferi, pranë stacionit të trenit është rrugë qorre dhe po e ndiqja me sy, me anë të pasqyrës së makinës time, kur ndërkohë në një largësi 40-50 metra larg, kur u shkëmbyem, makina ka frenuar dhe më kanë rënë në sy frenat e pasme që u ndezën stopat dhe tre persona me shpejtësi i dolën para makinës, ku ndërkohë njëri nga ata i rrinte Klajdit tek timoni”.
Rrëmbyesit pasi kanë përshkruar disa kilometra me makinën e pengut, sipas planit të ideuar, e kanë zhvendosur atë në një makinë tjetër.
Klajdi Shehu:- “Pasi më bllokuan rrugën me një makinë, me forcë më janë futur brenda në makinë nga pas, nuk i kam parë tre persona, të cilët nuk munda t’i identifikoja dhe që prej andej jemi nisur në drejtim të paditur, sepse mua më kanë prangosur dhe me një maskë në kokë ku nuk mund të shikoja asgjë”.
Është pikërisht kjo makina me të cilën, pengu Klajdi Shehu është lëvizur natën e pengmarrjes nga Vlora për në fshatin Vajzë, një rrugë e gjatë prej 34 km me një terren tepër të thyer. Djali 20 vjeçar është transportuar në bagazh i lidhur me pranga, ndërsa fytyra mendohet të jetë mbuluar me maskë. Djali është vendosur në një shtëpi të braktisur, midis fshatit Vajzë dhe Kote, pronësi e dy vëllezërve Saraçi. Më pas, të tre pengmarrësit, duke zbatuar me përpikmëri planin e rrëmbimit, rreth mesnatës kanë vendosur të zhysin në ujërat e rezervuarit të Arvalasë, në fshatin Amunicë, makinën tip Ford, duke i hequr targat për të fshehur gjurmët. Brenda në makinë ata kanë lënë dhe armën tip Zastava, si dhe maskën me të cilën i mbuluan fytyrën pengut.
Pasi kanë fundosur në ujë makinën për të humbur gjurmët, pengmarrësit të qetë një ditë më pas, e kanë lëvizur pengun e tyre në një tjetër shtëpi, këtë herë në fshatin Qeshbardh, po një banesë e braktisur, pronë e ideatorit të pengmarrjes Besnik Gjataj. Pasi janë siguruar se në këtë vend nuk mund ta zbulonte askush, pengmarrësit nisën kërcënimet në familjen Shehu, me qëllim të përfitonin shumën e majme që do të paguante xhaxhai. Por në ditën e dytë, policia e Vlorës arrin të bjeri në gjurmë të pengmarrësve.
Klajdi Shehu:- “Kam dëgjuar sirenat e policisë, të cilat po afroheshin drejt vendit ku unë ndodhesha dhe pas disa minutash kam dëgjuar disa të shtëna dhe me shpresën se do të vinin të më lironin nga vendi ku unë ndodhesha prisja me padurim, që të dëgjoja një hapje dere apo një zë të policisë, por e kundërta ndodhi dhe ata u larguan prej vendit ku unë ndodhesha”.
Por edhe këtë herë gjurmët humbën, sipas policisë, pas një alibie të dhënë qëllimisht gabim nga inspektori i zonës Kodheli, tashmë edhe ky nën pranga, se ka pasur lidhje me bandën e rrëmbyesve.
Klajdi Shehu:- “Ka qenë një moment shumë i frikshëm dhe ai, sepse, pasi përshkruam dy orë në këmbë, me dy persona në krah dhe unë i maskuar dhe me pranga, kemi kaluar një terren shumë të vështirë. Unë nuk mund të shikoja gjë, por çfarë ndjeja dhe kam pasur një frikë shumë të madhe, sepse më shkuan ndërmend, që aty edhe mund të më eliminonin dhe gjatë kësaj rruge më thanë mos ki frikë se do të shkosh në shtëpi, por me thënë të drejtën nuk u besova këtyre fjalëve, deri në momentin që ata më thanë ik dhe përsëri nuk i besoja, i pyeta përsëri, të iki, pa e kthyer kokën pas”.
Për fat, për frikë, apo për arsye që ende nuk dihen, ata nuk e kanë ekzekutuar pengun e tyre… /tvklan.al
Gazetare – Eva Paja