Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Gazetarja: Prej dy muajsh familja Cara nuk gjen dot djalin e saj 9-vjeçar. Fëmija u zhduk pikërisht tek punonte në këtë treg. Asnjë person nuk ka mundur të rrëfejë diçka për fatin e 9-vjeçarit gjatë këtyre dy muajve.
Vëllai Blerimi 11-vjeç, rikthehet shpesh në tregun ku humbi pa gjurmë Arturi. Dy muaj më parë të dy vëllezër dilnin bashkë për të shitur qese në tregun e madh të qytetit.
Blerimi: “Neve vinim këtu shisnim qese edhe njerëzit na blinin qese kushdo që ishte, vinim gjithmonë, vinim që në orën 7 edhe ktheheshim në shtëpi nga ora 12-1”.
Gazetarja: Po atë ditë pse u ndatë bashkë?
Blerimi: “Ne atë ditë, ndaheshim gjithmonë, jo vetëm atë ditë, ndaheshim gjithmonë edhe takoheshim prapë”.
Gazetarja: Çfarë të kishte thënë vëllai ty, do shkonte në ndonjë vend tjetër?
Blerimi: “Vëllai s’më kisht thënë asnjë gjë, as nuk do të shkonte në asnjë vend tjetër”.
Askush nga tregtarët dhe blerësit e këtij tregu nuk është bërë dëshmitari i ndonjë momenti dyshues.
Tregtarja: “Kemi digju dhe na ka ardh shumë keq, çfarë mund të flasim? Nuk mund ta imagjinoj dot, aq shpejt bahen këto rrëmbime, ça të thush, ku di unë, një fatkeqësi e madhe”.
Në këtë treg shesin çdo ditë mjaft fëmijë të mitur nga familje të rënduara ekonomikisht. Familja Carja është njëri prej tyre. Megjithëse ditët pas humbjes së djalit nuk kanë më rrjedhën e zakonshme, babai i familjes ka dalë edhe sot si çdo ditë për të gjetur punë në periferi të qytetit. Ndërsa Sofia, nëna e Arturit tregon për disa telefonata provokuese, ku i është thënë se djalin e ka gjallë çka i shton asaj frikën, se dikush ka në dorë fatin e të birit.
Nëna e Arturit: “Jo, jo tha, e ke gjallë, shëndosh e mirë, hajde tha imen. Nuk kam dit ku të shkojë rrugës, njëherë qaja, njëherë e mblidhja, bërtiste burri, bërtiste vëllai, baba, vajta atje asnjë gjë nuk kishte. Dega më tha, nuk ka fëmijë këtu. Kush të mori, qysh të mori, ia tregova prapë”.
Duke iu kthyer me kujdes datës 7 Korrik, Sofia dhe Blerimi kanë tashmë dyshimet e tyre për disa të huaj që kanë fotografuar djalin një javë para zhdukjes.
Blerimi: “Ato ishin tre burra dhe një gru edhe flisnin italian edhe më dha 5 mijë lekë, i nxori ajo dy veta gjysmën e qeses, i nxori në fotografi. Burri i nxori në fotografi. Ai ishte moshë e vjetër, ishte rreth tek 40-vjeç”.
Gazetarja: Çfarë u tha ai juve?
Blerimi: “Ai fliste gjuhë italiane, s’kemi ditë asnjë gjë. Më dha atë edhe iku, se kemi parë më”.
Policia e Elbasanit ka kërkuar zonën ku mund të gjendej 9-vjeçari. Në fashikuj shënohen të gjitha pistat, si rrëmbim, trafikim, humbje aksidentale, por asnjë pistë nuk ka një linjë konkrete të hetimit.
Nëna e Arturit: “Është rrëmbim kjo s’ka mundësi tjetër, se çunin nuk e pata nxjerrë vetë njëherë si person, nanë unë, nuk i di rrethet tëgjith”.
Dy muaj pas humbjes çështja Carja i ka kaluar prokurorisë./tvklan.al
Gazetare: Aranita Brahaj