Kamerat e fshehura në tualete dhe dhoma ndërrimi janë kthyer në një problem alarmant për policinë në Seul të Koresë së Jugut.
Autoritetet janë zotuar se do të kontrollojnë çdo ditë për kamera të fshehura në të gjithë tualetet publike në kryeqytet, pasi vetëm vitin e kaluar u raportuan më shumë se 6 000 raste të pornografisë me kamera të fshehura.
Videot shpesh ngarkohen në internet pa dijeninë e viktimave.
Më herët këtë vit, dhjetëra mijëra gra protestuan kundër kamerave të fshehura duke mbajtur në duar pankarta ku shkruhej “jeta ime nuk është pornografia jote”.
Aktivistët thonë se gratë jetojnë me frikën e vazhdueshme të fotografimit apo filmimit pa dijeninë e tyre. Rreth 80 për qind e viktimave të pornografisë me kamera të fshehta janë gra.
Megjithë kontrollet e deri më tanishme, zyrtarët kanë thënë për “BBC” se është e vështirë të kapen autorët pasi ata i vendosin kamerat dhe i heqin ato brenda 15 minutave.
Më shumë se 5 400 persona janë arrestuar për krimet në lidhje me kamerat e fshehta vitin e kaluar, por vetëm 2 për qind e tyre janë dënuar.
Agjencia koreanojugore e lajmeve “Yonhap” raporton se 50 punonjës të ngarkuar posaçërisht për gjetjen e kamerave të fshehura nuk kanë arritur të zbulojnë asnjë të tillë në dy vite.
Policia koranojugore ka transmetuar disa spote televizive me të cilat synohet sensibilizimi pasi video të tilla mund të çojnë deri në vetëvrasje të personave të filmuar fshehurazi. /tvklan.al