Një çift të moshuarish në Korenë e Jugut ka përfunduar në spital pasi makina e tyre përfundoi në një gropë të hapur në mes të rrugës.
Gruaja, 76 vjeçe, kaloi arrest kardiak dhe iu krye frymëmarrje artificiale. Fatmirësisht, pulsi i saj u rikthye. Ndërkohë nuk është e qartë se çfarë lëndimesh pësoi burri, 82 vjeç.
Automjeti i tyre “u kthye në anë, duke rënë në gropë”, raportoi Korea Herald.
Gjithashtu kanë dalë pamje të mjetit të rënë përmbys në gropën që ishte hapur përpara se ata të kalonin në rrugën që ndodhet në distriktin Seodaemun në Seulin perëndimor.
Mediat vendase raportojnë se ka nisur një hetim për të zbuluar se çfarë e ka shkaktuar gropën.
Shërbimet e emergjencës kanë kufizuar hyrjen në zonë duke krijuar rëndim të trafikut në kryeqytet./tvklan.al