Policia e Shtetit ka publikuar të dhënat e fundit e gjobave të vendosura gjatë 24 orëve. Konkretisht, janë gjobitur 593 këmbësorë që u konstatuan në rrugë gjatë orarit të ndaluar për të dalë. Policia thotë se këta qytetarë nuk kishin arsye të veçantë apo emergjencë për të dalë.
Po kështu, u është hequr patenta 217 shoferëve dhe u është bllokuar mjeti pasi kishin shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit.
Në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi A. Q., banues në Tiranë, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.32 mg/l.
Po në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi M. H., banues në Tiranë, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar.
Në Durrës është arrestuar në flagrancë shtetasi E. F., banues në Krujë, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi, në gjendje të dehur në masën 0.53 mg/l dhe në kundërshtim me aktin normativ.
Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë shtetasi A. B., banues në Durrës, pasi duke drejtuar mjetin, nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar.
Në Elbasan është arrestuar në flagrancë shtetasi A. K., banues në Përrenjas, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.89 mg/l.
Në Dibër janë arrestuar shtetasit M. M. dhe D. D., pasi shtetasi M. M. drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit, jashtë orarit të lejuar dhe në bashkëpunim me shtetasin D. D. ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë.
Në të gjithë vendin janë konstatuar 11 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është vendosur gjobë.
Në Vlorë është proceduar penalisht për fshehje të ardhurash shtetasi B. H., banues në Dhërmi, sepse pas kontrollit të ushtruar në minimarketin që ai administronte, u konstatua mungesë dokumentacioni dhe moslëshim i kuponit tatimor. /tvklan.al