Avdjol Dobi, përfaqësuesi i kompanisë “DH Albania”, që fitoi tenderin e ndërtimit të Unazës së Madhe me dokumente të falsifikuara është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se emri i 26-vjeçarit është shpërndarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe tashmë kërkohet bashkëpunimi me partnerët e Europol dhe Interpol për arrestimin e tij.
Dobi përfaqëson kompaninë që fitoi dy tenderë me vlerë 30 milionë Euro, me dokumente të falsifikuara dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë arrest me burg në mungesë, nga Gjykata e Tiranës. I riu përfitoi 12 milionë Euro për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Burrel-Peshkopi dhe 18 milionë për ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe të Tiranës.
Ndërkohë, kërkesa për caktimin e masës së arrestit me burg është bërë nga Prokuroria, e cila e akuzon Dobin për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare. Vendimi i Prokurorisë për të kërkuar këtë masë shtrënguese vjen pas refuzimit të tre fletë-thirrjeve të dërguara në adresë të Dobit dhe biznesit të tij.
26-vjeçari ende nuk është gjetur nga policia dhe në bazë të sistemit TIMS, ai rezulton të jetë akoma në Shqipëri. Nuk përjashtohet mundësia që Dobi të jetë larguar nga vendi ynë pa u regjistruar në sistemin TIMS, ose në mënyrë ilegale.
Tv Klan