Pas një hetimi të thelluar nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar masat e sigurimit personal për një oficere policie dhe një shtetas, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.

“Masa e sigurimit “Pezullim nga detyra si punonjëse e Policisë së Shtetit” dhe “Detyrim për paraqitje në Policinë Gjyqësore”, për punonjësen, N/Komisare B.Koshena, 44 vjeçe, efektive në Komisariatin e Policisë Nr.1, Tiranë, si dhe “Arrest në shtëpi” për 35-vjeçarin, G. Kurti”, njofton policia.

Nga hetimet e kryera, u siguruan prova se punonjësja e policisë gjatë kohës që ka kryer detyrën si Specialiste për Hetimin e Krimeve, duke shfrytëzuar atributet e Oficerit të Policisë Gjyqësore, pas ekzekutimit të urdhrit për kthimin e mjetit të sekuestruar, nëpërmjet mashtrimit ka përvetësuar atë mjet dhe në bashkëpunim me shtetasin G.K., e kanë shitur atë për pjesë këmbimi me qëllim përfitimi.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj raporton se disa kohë më parë një person vrau veten brenda mjetit të tij tip Golf 6 dhe mjeti u bllokua si provë materiale nga Prokuroria e Tiranës. Pas verifikimeve dhe hetimeve, Prokuroria urdhëroi që mjeti t’i kthehej familjarëve të viktimës.

B. Koshena, e cila ishte urdhëruar për të kthyer mjetin fillimisht, ka komunikuar me babain e të riut që u vetëvra ku e ka pyetur nëse kishin për qëllim për të mbajtur apo jo mjetin. I ati në kushtet e tronditjes së humbjes së djalit të tij i ka thënë që do e shiste.

Efektivja i kishte premtuar më pas që mjetin do e blinte ajo. Pasi e ka marrë për kontroll tek mekaniku e ka shitur në bashkëpunim me G. Kurtin për pjesë duke mos i dhënë paratë familjarëve./tvklan.al