Lajme Arkiva 2003

Një pallat gjashtë katesh dhe një kamion me materiale ndërtimi janë bllokuar në orët e paradites nga policia tatimore në rrugën “Jordan Misja” në kryeqytet.

Pas një aksioni të ndërmarrë nga tatimorët ka rezultuar se pallati 6 katësh ka qenë i bllokuar me urdhër të  kreut ekzekutiv nga ana e degës së tatim taksave që në mesin e muajit janar, por pronari i tij që mbetet anonim nuk i ka pezulluar punimet.

Sipas disa rojeve pallati po ndërtohet nga vetë familjarët që do të banojnë aty, ndërsa disa të tjerë thonë se pronarja e tij është një grua e quajtur Klara Maliqi, e cila nuk është dukur gjatë aksionit të tatimorëve.

Nga ana e tatim taksave është kërkuar ndjekje penale për pronarët e pallatit, ndërsa sot policia tatimore ka prerë një gjobë prej 100 mijë lekësh për mos licencim dhe mospagim të faturave tatimore.

Me ndihmën e policisë së rendit, tatimorët kanë nxjerrë jashtë punëtorët që punonin në pallat si dhe kanë bllokuar kamionin që sillte materialet për ndërtimin e tij.

“Ky subjekt është i bllokuar nga ana e policisë tatimore, është dërguar për ndjekje penale. Sot kishim një rast furnizimi me tulla dhe materiale ndërtimi është bërë bllokimi i tij përsëri dhe përsëri do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore që i ngarkon ligji në kuadër të licencimit të subjekteve”.

Ky është aksioni i parë i policisë tatimore për muajin Mars. Gjatë muajit të kaluar tatimorët kanë sekuestruar rreth 1200 subjekte të kategorive të ndryshme./tvklan.al