Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Atentati ndaj banesës së kreybashkiakut Edi Rama, ka shkaktuar reagime krejt të ndryshme, në ambientet politike shqiptare. Sipas sekretarit socialist për marrëdhëniet publike Luan Rama, atentati ndaj Edi Ramës është konkretizimi i drejtpërdrejtë i thirrjes në mitingun demokrat vetëm pak kohë përpara atentatit, “E duam Tiranën pa Edi Ramën”.

Sipas Partisë Socialiste, ky atentat është një akt i rënd terrorist i frymëzuar nga një prapavijë e njohur politike. Të njëjtin version paraqesin edhe aleancistët.

Neritan Ceka, Kryetar i PAD:- “Po ka një prapavijë politike edhe në qoftë se nuk është një urdhër direkt, prej atyre që dihet, që janë të interesuar të qëllojnë dritaret e Edi Ramës, ka një klimë të krijuar prej këtyre njerëzve. Po them që krijuesi kryesor i kësaj klime të tensionit, të urrejtjes, të destabilizimit është Sali Berisha”.

Ndërkohë Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënësit të saj Edi Paloka, e cilëson atentatin skenar politik, të përgatitur nga policia sekrete.

Edi Paloka, Zëdhënësi i PD:- “Partia Demokratike, thekson se është shumë i mundshëm, një skenar politik i policisë sekrete shqiptare. Kjo mundësi përforcohet nga informacionet e ndryshme në media. Po ashtu deklaratat e menjëhershme dhe para fillimit të hetimeve të Ramës dhe Himçit, e bëjnë më të besueshëm këtë variant”.

Republikani Godo kërkon hetim të paanshëm nga prokuroria, për atentatin ndaj Edi Ramës.

Republikani Sabri Godo:- “Përsa i takon incidentit them, që në planin njerëzor jeta e një politikani, nuk vlen më shumë se jeta e cilitdo qytetari, por ka një gjë që shteti mbron institucionet dhe njerëzit që i kryesojnë këto institucione. Gjithashtu ajo që është e domosdoshme të bëhet është, që çështje të tilla të hetohen deri në fund”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame