Lajme Arkiva 2003
Politikanët më të lartë Shqiptarë kanë bërë ritin e zakonshëm në raste festash dhe mes truprojave të shumta kanë lëshuar nga një mesazh të shkurtër urimi për ditën e Kurban Bajramit.
Në selinë e Komunitetit Mysliman kanë mbërritur me radhë Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, kryeministri Fatos Nano lideri i opozitës Sali Berisha, mMnistri i Jashtëm Ilir Meta dhe të tjerë politikanë të majtë dhe të djathtë, por ndryshe nga dita e bajramit të madh, Kurban Bajrami nuk i ka gjetur së bashku drejtuesit e politikës shqiptare.
Pas takimeve me Hazhi Haviz Sabri Koçin dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit, ata veç e veç kanë dhënë sipas mënyrës së tyre urimet për festën e besimtarëve mysliman.
Alfred Moisiu: Festa e Bajramit të Vogël është festa e bujarisë, e sakrificës shqiptare dhe ne këtë traditë duhet ta ruajmë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm se populli ynë vërtet ka varfëri. Rasti që ndodhi pardje në Has tregon që duhet ët mendojmë më shumë për njëri-tjetrin, ta ndihmojmë njëri-tjetrin se kjo e ka mbajtur gjallë dhe kjo do të vazhdoj të na mbajë.
Fatos Nano: Shqipëria dhe shqiptarët edhe vetë Komuniteti Mysliman janë në një moment reflektimi pozitiv, por forcojnë institucionet e bashkëjetesës dhe janë ta angazhuar që duke udhëtuar drejt Evropës të ruajnë vlerat shpirtërore si edhe të luftojnë bashkërisht të njëjtat të këqija, besoj se kështu ju ka thënë edhe zoti Berisha apo jo.
Sali Berisha: Sakrifica është themeli i të gjitha të mirave që njeriu ka arritur me virtytin, me shpirtin, me energjinë, me ndershmërinë e tij, është themeli i të gjitha të mirave që kombet dhe shoqëritë kanë arritur, është themeli i përparimit, është themeli i harmonisë, i paqes i prosperitetit.
Ilir Meta: U uroj të gjithë besimtarëve mysliman, por edhe gjithë qytetarëve paqe dhe lumturi me këtë rast dhe me këtë ditë të shënuar.
Gazetarja: Keni një mesazh për politikanët shqiptar në këtë ditë, të sakrificës?
Ilir Meta: Për politikën, paqe dhe mirëkuptim!
Në ditën e Kurban Bajramit në selinë e Komunitetit Mysliman e kanë vizituar edhe përfaqësues të lartë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë./tvklan.al