Një 32-vjeçar ka ndërruar jetë dhe 6 persona të tjerë janë plagosur si pasojë e një aksidenti në zonën e Breshias në Itali.
“BSO Territori” raporton se i riu me origjinë polake ishte pasagjer i makinës tip “Porsche”, që drejtohej nga një 28-vjeçar shqiptar. Makina e tyre u përplas me një furgon Volkswagen dhe më pas doli nga rruga duke u përmbysur. Në aksident u përfshi edhe një motorçikletë, sipas asaj që raportojnë mediat italiane.

32-vjeçari humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa shqiptari mbeti i plagosur rëndë. Të plagosur mbetën edhe anëtarët e familjes që udhëtonin në furgon. Bëhet fjalë për një familje moldave, prindërit, dy fëmijët e tyre të moshës 8-vjeçe dhe 16-vjeç, si dhe gjyshja.

Shtypi italian raporton se viktima është identifikuar si Ruben Wlodkowski, me origjinë nga Polonia, por i lindur në Itali në Peschiera del Garda.
Autoritetet italiane po punojnë për të mësuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit që i mori jetën të riut dhe la të plagosur 6 persona të tjerë.

/tvklan.al