Pak javë më parë emisioni “Stop” transmetoi rastin e vjedhjes së portofolit dhe kartës bankare të një pacienti të intubuar në Spitalin Infektiv, nga ana e infermieres Ronida Hysi.

Kjo e fundit u la dje në arrest shtëpie dhe pranoi se ka marrë paratë. Por Hysi tha, se nuk e ka vjedhur portofolin, por e ka gjetur në ashensor. Kur është marrë në pyetja infermierja nuk ka mohuar që ka përdorur kartën e pacientit, por ka thënë se portofolin e ka gjetur në ashensorin e repartit të Infektivit gjatë punës dhe aty brenda ishte kodi PIN.

Ajo që mbetet e pasqaruar prej saj është fakti se pse nuk e dorëzoi portofolin e gjetur dhe mbi të gjitha sesi përfundoi sërish portofoli tek pacienti i ndjerë, më pas tek familjarët e tij dhe tani në studion e “Stop”. Sipas dosjes hetimore kamerat e sigurisë së një bankomati në QSUT kanë kapur në orën 08:00 të mëngjesit të datës 25 Dhjetor një vajzë me flokë të kapura që kishte probleme me të ecurën në këmbën e majtë që kishte kryer veprime me kartën e pacientit.

“Mirë e gjeti në ashensor, por pse ky portofol u gjet në rrobat e të ndjerit? Kam përshtypjen se nuk e ke gjetur në ashensor. Përveç familjarëve e kam dhe unë në dorë”, tha Kodra.

“Nuk jam këtu që kjo infermiere të varet në litar. E them këtë për t’iu kundërvënë fort dhe ashpër të gjithë mesazheve apo komenteve që bëhen, duhet varur, duhet prerë, jo. Duhet dënuar çdo fenomen negativ, duhet përjashtuar nga e përgjithshmja jonë që rëndon jetën e gjithsecilit. Ti me të vërtetë mos motër e ke gjetur në ashensor këtë, por e kupton se çfarë traume u ke krijuar atyre familjarëve se përveç humbjes së jetës së familjarit të tyre ndihen dhe të plaçkitur. Çështja nuk ka mbaruar, hetimet nuk kanë mbaruar. Pranoj argumentin që ka një fëmijë të vogël, por që e gjeti në ashensor, hiq dorë nga kjo, hiq dorë avokati se është e turpshme”, shtoi Kodra.

Ronida Hysi u arrestua pak ditë më parë, pasi i kishte vjedhur paratë nga portofoli një pacienti dhe kishte bërë disa tërheqje me kartën e tij të bankës. Ishte djali i pacientit, i cili denoncoi pranë emisionit “Stop” ngjarjen e rëndë që kishte ndodhur në spitalin Infektiv. Ai tregoi se babai i tij, kishte qenë i shtruar në spital që më pak kishte ndërruar, ishte vjedhur gjatë kohës që kishte qenë i sëmurë me Covid në spitalin Covid1.

Djali rrëfeu se babai i tij kishte pasur me vete në portofol 20 mijë Lekë të rinj dhe një kartë banke me 60 mijë Lekë, por kur i kishin dorëzuar sendet personale, paratë mungonin. Më pas nga hetimet e Prokurorisë rezultoi se kishte qenë infermierja Hysi që i kishte marrë 20 mijë Lekët nga portofoli dhe i kishte tërhequr 60 mijë Lekë nga bankomati.

Hysi në seancën e parë para gjykatës pranoi që kishte vjedhur paratë dhe tha se e kishte bërë për shkak se jeton e vetme dhe ka një fëmijë për të rritur. Ronida Hysi është një nga infermieret e grupit të dytë të bluzave të bardha që shkoi në Itali për të ndihmuar kolegët e vendit fqinj në kulm të pandemisë./tvklan.al