Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Në Kuvend ka mbërritur dhe një kërkesë tjetër, për ngritjen e një komisioni të posaçëm që do të hetojë procesin e transparencës së firmave piramidale. Iniciativa është ndërmarrë nga grupi parlamentar Aleanca për Demokraci, që përfaqësohet nga deputetët Preç Zogaj dhe Arben Imami.
Sipas zotit Zogaj, ky komision ka për qëllim të hetojë asetet e firmave piramidale, mënyrën e shitjes së tyre, si dhe evidentimin e masës dhe mënyrës së shlyerjes së kreditorëve.
Preç Zogaj:- “Mendojmë se është një akt drejtësie, që ka të bëjë me djersën e kreditorëve, që i ngritën ç’është e vërteta këto piramida, por edhe me mënyrën se si janë shitur dhe administruar asetet. Mendojmë se është edhe një akt moral, sepse edhe kthesa që morën ngjarjet në vitin 1997, pak a shumë është e bazuar në historinë e piramidave, pa nënvlerësuar dhe aspekte të tjera”.
Sipas kërkesës së depozituar në kryesinë e Kuvendit, komisioni hetimor, do të përbëhet nga 11 anëtarë. 36 firmëtarët që mbështesin ngritjen e këtij komisioni, i përkasin të gjitha grupeve parlamentare të opozitës./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço