Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryetari i PD Sali Berisha, ka vijuar takimet me drejtuesit e partive opozitare, në përpjekje për të realizuar idenë e tij të unifikimit të opozitës në një parti të vetme ose koalicion të madh të përbashkët. Pas aleatëve të Bashkimit për Fitore, zoti Berisha ka biseduar me aleancistin Preç Zogaj, i cili jo vetëm ka përkrahur pa rezerva idenë e liderit të opozitës, por ka paralajmëruar rikthimin në PD, si anëtar i thjesht i saj.

Preç Zogaj:- “Thelbi i problemit është që të përqafojmë një ide moderne bashkëkohore e cila lejon opozitën, që të përballojë me sukses luftën politike sot, kundër mazhorancës dhe që e lejon të dalë e bashkuar nesër në zgjedhje për të fituar zgjedhjet. Pra nuk është një ide që lidhet vetëm me zgjedhjet, po lidhjet me luftën politike që sot, në parlamentin e sotëm dhe kjo është një ide politike e cila vlen më shumë se karriget tona”.

Gazetarja:- Ju jeni të gatshëm të riktheheni si anëtar të PD?

Preç Zogaj:- “Padyshim, në kuadrin e bashkimit, jemi të gatshëm, që të kthehemi anëtarë ose votues të Partisë Demokratike, votues të opozitës”.

Sipas zotit Zogaj, bashkëpunimi me demokratët, do të shtrihet edhe në parlament. Me fillimin e sesionit të ri do të mbështetet iniciativa e PD, për krijimin e një komisioni të posaçëm për hetimin e veprimtarisë së kryetarit të bashkisë së Tiranës Edi Rama./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço