Nevoja për të evokuar edhe njëherë absurditetin e një epoke të perënduar dhe plagët e pashërueshme që shkakton fati te njeriu frymëzuan shkrimtarin dhe poetin Preç Zogaj  të shkruante romanin e tij më të fundit “Gjyshi i tmerrshëm”, i botuar ditët e fundit.

Shkrimtari Zogaj i vendos ngjarjet në 35 vite, pra në vitet e diktaturës totalitare për ti ringjallur plagët mandej në vitet e para të demokracisë. “Gjyshi i tmerrshëm” personazhi imagjinar që rrugëton bashkë me nipin e tij Artur thuhet, se ishte arratisur në vitet e regjimit.

Preç Zogaj: “Pak a shumë libri fillon në ditët tona domethënë në përballjen time me një personazh të zhdukur në emisionin “Njerëz të humbur” dhe ky është momenti si të thuash rikthehet gjithë një e kaluar, Niku një personazhi, që në këtë rast është një personazh tipik si të thuash, një të riu të talentuar në diktaturë, por që i flijohet biografisë, i flijohet një gjyshi që ky se ka njohur kurrë. Romani është piktura e plagës që hap fati tek individi.”

I tërë romani rrëfen historinë e tragjedisë që pësoi më pas familja e këtij gjyshi të arratisur në kohën e regjimit. Një arratisje enigmatike, të cilën shkrimtari Preç Zogaj e përshkruan me dramaticitet, por edhe me një tis të hollë humori. Humor i bardhë që më shumti na kujton groteskun e një epoke absurde./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani