Ndotja e liqenit artificial vetëm pak dite me pare nga një sasi e madhe boje hidromati ka mbledhur ne një tryeze Prefektin e Tiranës, Ruzhdi Keci, dhe përfaqësues nga Agjencia e Mjedisit dhe Autoritetit Shëndetësor Rajonal.

Sipas prefektit Keci gjendja po shkon drejt përmirësimit.

Ruzhdi Keçi: “Nuk flitet për një situatë dramatike, për ndonjë ndotje të tillë përtej atyre kufijve që mundet të shkaktonte pastaj një katastrofë ekologjike. Kemi marrë një miratim nga Ministria e Transportit që në rast se për pastrimin e sipërfaqes së ujit në ato mbetjet e ngurta lind nevoja do sjellim njësinë e specializuar pranë portit të Durrësit që punon për këtë punë”.

E njëjta situate është konfirmuar edhe nga specialiste te Agjencisë se Mjedisit dhe te Autoritetit Shëndetësor Rajonal.

Liljana Hoxha: “Uji është, mund të klasifikohet si një ujë i kënaqshëm, i klasës së tretë. Nga ekspedita në ekspeditë, pra nga data 14 deri në datën 18 vihet re një përmirësim”.

Mëhill Gecaj: “A ka rezultuar që nuk ishin mbetje bakteriale, pra të shtuar, përveç atyre ndotjeve që normalisht rezultojnë në të gjitha basenet e hapura ujore. E rëndësishme është tani që gjendja vjen duke u përmirësuar, pra ky basen ujor për momentin nuk ka ngordhje të gjallesave, pra që po të kishim substanca të tjera toksike do kishim dhe ndodhje, ngordhje të gjallesave që kjo është jashtëzakonisht pozitive.”

Ndërkohë kryetari i komunës se Farkës, Fatbardh Plaku, garantoi se nëse do te jete e domosdoshme liqeni i Farkës ka kapacitet te furnizoje me ujë dhe liqenin artificial.

Fatbardh Plaku: “Ka rreth 11 milion metra kub ujë, ndërkohë që në liqenin e Tiranës nuk duhen më shumë se 2 apo 2.5 milion metra kub ujë, mesa jam unë në dijeni, pra ka bollëk ujë për të mbushur liqeni artificial.”

Përsa i përket çështjes për të thare liqenin sipas prefektit Keçi një gjë e tille mund te behet vetëm nëse ky liqen sjell rrezikshmëri për jetën e qytetareve nga ndotja e tij./tvklan.al