Liqeni artificial i Tiranës është ndotur plotësisht nga pluhuri hidromat i hedhur të dielën në mbrëmje, dhe kjo rrezikon zhdukjen e të gjitha gjallesave që gjenden në të.

Gjergj Ndoja: “Këto lëndë kimike bëjnë keq për jetën e gjallesave. Konsumojnë një ujë edhe të ndotur dhe me oksigjen të reduktuar. Jeta e këtyre gjallesave mund të shkojë edhe drejt zhdukjes.”

Uji i ndotur i liqenit, përveç erës së pakëndshme, nuk shkakton probleme për banorët e kësaj zone, por  specialistët tërheqin vëmendjen qytetarëve që të mos lahen aty, pasi kontakti me ujin shkakton infeksione.

Gjergj Ndoja: “Njerëzit absolutisht nuk duhet të lahen. Kemi të bëjmë me substanca kimike, të cilat mund të kenë edhe efekte alergjike tek ato që lahen, mund të kenë edhe pasoja në lëkurën”.

Në ditën e dytë të bërjes publike te këtij skandali, të cilësuar si katastrofe ekologjike nga specialistët, përfaqësues të pushtetit qendror dhe lëvizja kundër betonizimit të Tiranës, kanë akuzuar bashkinë e Tiranës për ndotje te qëllimshme e te paramenduar.

Mhill Gecaj: “Ne presim që edhe prefekti i Tiranës duhet të ndërhyjë për të zgjidhur përfundimisht këtë problem, dmth, në lidhje sepse është ai përgjegjësi përsa i përket pjesës së administrimit po them në nivel qarku që të bëhet një ndërhyrje për shpëtimin e këtij liqeni”.

Altin Goxhaj: “Boja e hedhur në këtë liqen, ndotja që ka ndodhur ka mbyllur përgjithmonë ciklin e betonizimit të kësaj zone. Sot ne inaugurojmë emrin e ri të liqenit artificial, “Këneta Articiale” e Tiranës dhe banorët e këtyre zonave, të këtyre pallateve do të sjellë pikërisht një nevojë të qytetarëve që ky liqen të thahet që ata të mos kenë probleme me shëndetin e tyre. Ndotja e këtij liqeni, tharja e këtij liqeni do të hapi një territor të ri për ndërtime në Tiranë. Ashtu siç lyhen fasadat në Tiranë, tashmë lyhet dhe liqeni”./tvklan.al