Pas dhënies së sinjalit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë se jemi në fazën pesë të nivelit të vlerësimit të pandemisë Ministria e Shëndetësisë dhe të gjitha organet në varësi të saj janë vënë në lëvizje duke detajuar planin e masave në rast se vendi ynë preket nga virusi H1N1.
Autoriteti Shëndetësor Rajonal ka mbledhur drejtuesit e të gjithë qendrave shëndetësore duke iu kërkuar që çdo person me shenja të gripit të trajtohet si i prekur nga virusi vdekjeprurës, ndërsa janë vënë në eficencë të plotë dhe mjekët e shkollave në kryeqytet.
Dritan Ulqinaku: “Nuk duhet të rrimë më duarkryq. Duhet të marrim masa sikur infeksioni ka ardhur në vendin tonë. Për fat të mirë akoma nuk kemi asnjë rast të konfirmuar apo të suspektuar në vendin tonë, por që kjo nuk do të thotë që mund të jetë brenda një ore, brenda një dite. Alerti duhet të jetë në shkallën maksimale. Çdo rast duhet të trajtohet sikur është një grip derri”.
Mhill Gecaj: “Çdo rast i suspektuar, pra e theksoj, çdo rast i suspektuar dhe i konstatuar me shenja të këtij gripit ose dhe të gripit të zakonshëm që do konstatohet nga mjekët tonë të shërbimit parësor dhe mjekët e familjes dhe të gjithë mjekët e shërbimit shkollor dhe parashkollor është do funksionojë sistemi i referimit 24 orë në 24 orë pranë ASHR-së, Drejtorisë së Shëndetit Publik dhe pastaj më lartë me Institutin e Shëndetit Publik dhe ministrinë.”
Në kuadër të masave të marra Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion një fond emergjence prej 10 milion lekësh të reja për përballimin e situatës në rast nevoje, ndërsa ka siguruar dhe medikamentet e nevojshme për të gjitha spitalet e vendit.
Arben Ivanaj: “Ky është një grip si të gjithë gripet e tjera dhe nuk rekomandohen medikamente të veçanta përveç medikamenteve, të cilat duhet të ulin temperaturën, por gjithsesi medikamenti specifik që përdoret në këtë rast është, një nga ato është “Tamiflu”. Tamiflu kemi në sistemin tonë shëndetësor. Kemi në magazinat tona për trajtim përafërsisht mbi 100 të sëmurë. Ne kemi komunikuar me kompaninë që ata kanë një stok për trajtimin e mbi 1 mijë të sëmurëve”.
Gjatë takimit me drejtorët e spitaleve në rrethe dhe shefat e shërbimit infektiv iu kërkua që dhomat e izolimit të jenë në fund të pavijoneve, ndërsa hyrja e personave të dyshuar të prekur nga gripi i derrit të jetë e veçantë nga hyrja e pacientëve me sëmundje të tjera.
Plani i masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë u cilësua në të njëjtën linjë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë nga vetë përfaqësuesi i kësaj organizate në Shqipëri.
Anshua Banerjee: “Ministria e Shëndetësisë ka marrë masat e duhura, të cilat janë në të njëjtën linjë me rekomandimet e OBSH-së. Është e vështirë të thuhet se çfarë mund të ndodhë. Arsyeja se përse u rrit shkalla e sigurisë është për shkak të situatës botërore pasi me transportin ajror është tepër e lehtë që virusi të përhapet. Problemi më i madh që kemi është periudha e inkubacionit, pra koha kur ju jeni të infektuar deri tek momenti që sëmureni mund të zgjasë tre deri në shtatë ditë. Njerëzit që vijnë në Shqipëri mund të mos kenë ende simptoma të sëmundjes dhe mund të sëmurën tre ditë pasi të kenë ardhur këtu”.
Po ashtu shërbimi sanitar në këto kushte emergjence do të jetë pa ndërprerje./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami