U aplikua për të vendosur drejtësi, por duket se sistemi VAR nuk ka arritur të shuaj polemikat. Premier League angleze është gati për të hequr dorë nga sistemi në ndihmë të arbitrave, duke nisur nga sezoni i ardhshëm.
Sipas mediave britanike, klubet kanë propozuar heqjen e tij, teksa rendisin edhe pasojat. Ndikimi në festimet e golave dhe pasioni spontan që e bën futbollin të veçantë, ulja e autoritetit të gjyqtarëve në fushën e lojës, por edhe zbehja e ritmit të ndeshjes shihet si faktor që ndikojnë jo pak në ecurinë e kampionatit më të luftuar në Europë.
VAR është përdorur në kampionatin anglez që nga viti 2019, ku ka ndihmuar në përmirësimin e vendimeve në fushën e lojës, por edhe gjeneruar polemika të shumta. Rasti më flagrant është goli i anuluar gabimisht për pozicion jashtë loje i Luis Diaz në atë humbje 2-1 të Liverpool në fushën e Tottenham.
Për të ndryshuar rregullat, klubet e Premier League kanë të drejtën kushtetuese me çdo propozim që duhet të marrë shumicën prej 2/3, ose e thënë ndryshe mbështetjen e 14 skuadrave nga 20 në total.
Në rast se diçka zyrtarizohet, heqja e VAR do të ndodhte për herë të parë në një kampionat që fillimisht e kishte aplikuar. Ndërkaq, Suedia, u bë shteti i parë që refuzoi zbatimin e VAR pas reagimit të tifozëve.
Klan News