Maqedonia e Veriut nuk mundi ta zgjedhë në raundin e parë Presidentin e ri të vendit. Edhe pse pjesëmarrja e kaloi shifrën prej 40 përqind që të quhej proces i vlefshëm asnjë nga 7 kandidatët nuk mori mbi 50 përqind të votave.

E para në renditje, sipas rezultateve paraprake të Komisionit shtetëror të zgjedhjeve është Gordana Siljanovska Devskova nga opozita maqedonase VMRO-DPMNE, e ndjekur nga presidenti aktual Stevo Pendarovski. Rezultatet paraprake tregojnë për një balotazh mes dy kandidatëve kryesore.

Davkova duket se ka siguruar 40.2% te votave. Në vend të dytë renditet Pendarovski i Lidhjes social-demokrate, partisë në pushtet me rreth 19.9% të votave. Kandidati Bujar Osmani i koalicionit Fronti Evropian, që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ka marrë rreth 13.36% të votave të numëruara, ndërsa Arben Taravari i koalicionit “VLEN”, rreth 9.37%.

Kandidati i partisë “Znam”, Maksim Dimitrievski ka marrë 8,9%. Biljana Vankovska e partisë “E Majta” ka siguruar 4,42%. Dhe Stevço Jakimovski i “Opsionit Qytetar për Maqedoninë” ka marrë 0,90%.

Në zgjedhjet presidenciale morën pjesë rreth 48% e 1,8 milionë banorëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja në votime shënoi një rritje prej 9% në krahasim me zgjedhjet presidenciale të vitit 2019.

Në Maqedoninë e Veriut presidenti ka një mandat pesë-vjeçar dhe zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë, ndonëse kohët e fundit janë shtuar debatet, sidomos në radhët e partive politike shqiptare që presidentin ta zgjedhë parlamenti, por partitë maqedonase nuk pajtohen me këtë.

Klan News