Lajme Arkiva 2003

Një nga takimet e rëndësishme në Tiranë të Sekretarit Amerikan të Shtetit Colin Powell ishte ai me presidentin Alfred Moisiu të cilit i ka dhënë fillimisht përshëndetjet personale të presidentit të Shteteve te Bashkuara George Bush.

Zoti Moisiu e ka njohur zotin Powell me ndryshimet politike në vend të cilat i vlerësoi se po ecin në rrugë të mbarë duke e cilësuar nënshkrimin e Kartës Adriatik 3 si një moment historik të tre vendeve pjesëmarrëse, presidenti Moisiu i ka kërkuar sekretarit Powell përqendrimin e vëmendjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan.

Nga ana e tij zoti Powell ka konfirmuar angazhimin amerikan për zhvillimet në ecurinë e proceseve demokratike dhe të plotësimit të standardeve të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Në duam të jemi të sigurt që të mos përsëriten oscilacionet e të shkuarës ka theksuar Powell i cili ka siguruar presidentin Moisiu që krahas vazhdimit të mbështetjes politike do të ndihmojë edhe në aspektin ekonomik.

Gjatë bisedës sekretari Powell u ndal në nevojën e forcimit të shtetit të së drejtës pasi kjo sipas tij ishte shumë e rëndësishme për tërheqjen e investimeve. Sepse tha Powell investitorët e huaj duan të mbështeten në ligje të forta të shohin ambient të sigurt pa pengesa burokratike dhe pa aktivitet korruptive.

Sekretari Amerikan i Shtetit i ka premtuar presidentit Moisiu se do ti kërkojë Kongresit dhe Komitetit të Biznesit ndihmë për Shqipërinë ashtu siç veproi me shtatë vendet e “Grupit të Vilnusit” që u ftuan pak ditë më parë për anëtarësim në NATO.

Takimi në presidencë është mbyllur me dekorimin e sekretarit amerikan Colin Powell me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeut” me motivacionin për rolin e tij të çmuar në mbështetje të demokracive të reja dhe për vlerësimin e tij të veçantë për rëndësinë e Shqipërisë dhe Evropës Juglindore  për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe evropian, për angazhimin e tij personal, për zgjerimin NATOS përfshirë Shqipërinë dhe partnerët fqinj të Adriatikut si dhe për inkurajimin dhe mbështetjen e tij për integrimin e Shqipërisë në institucionet euro-atlantike./tvklan.al