Lajme Arkiva 2003

Presidenti Alfred Moisiu paraqiti veprimtarinë e tij në përvjetorin e parë të zgjedhjes në krye të shtetit. Moisiu u tha se mbështetej në parimin e mos krijimit të krizave, por të punonte për zgjidhjen e tyre, kjo me gjithë kritikat e një pjese të opozitës në rastin e fundit me krizat qeveritare.

Presidenti Alfred Moisiu: Pavarësisht nga kritikat, kam mirëkuptim nga të gjitha palët. Parimi im kryesor gjatë gjithë kësaj kohe të cilit unë i jam përmbajtur me fanatizëm dhe besnikëri ka qenë të qëndroj mbi krizat, të mos bëhem palë i krizave, të mos krijojë kriza dhe të punoj për zgjidhjen e tyre. Është sigurisht normale që në jetën politike të vendit të ketë një luftë politike, por nuk duhet të lejojmë tronditjet politike.

Moisiu u shpreh po ashtu se lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, monopoleve, reformave në drejtësi si një nga pikat më delikate, ndarja e pushteteve apo ndikimi në  politikat me jashtë  për lëvizjen e lirë dhe integrimin janë në nënvëmendjen e tij. Ai vlerësoi Kodin e ri Zgjedhor.

Presidenti Alfred Moisiu: Nuk do të toleroj më dhe nuk do të lejojë më ato rrugë dhe në ato drejtime që të përsëriten ato gjëra të shëmtuara që janë përsëritur në të kaluarën. Në radhë të parë unë mendoj se Kodi i ri Zgjedhor i miratuar nga Parlamenti Shqiptar është një kod që i përmbahet normave të interesave me te avancuara të një shteti demokratik.

Por shprehu pakënaqësi për vonesën e zgjidhjes së çështjes së pronës.

Presidenti Alfred Moisiu: Ky problem është zvarritur dhe këtë kritik, që të mos përmend fjalën autokritik e cila ka krijuar një imazh jo të pëlqyeshëm në vendin tonë për rrethana që dihen unë ua bëj të gjithë politikanëve shqiptarë. Sepse fatkeqësisht ka akoma politikanë që më shumë duan të bëjnë zhurmë se sa duan të zgjidhin probleme.

Presidenti vlerësoi se gjatë mandatit të parë të tij është vlerësuar gjendja politike në vend dhe është rritur siguria dhe mirëkuptimi./tvklan.al