Lajme Arkiva 2004
Presidenti i republikës Alfred Moisiu u është përgjigjur akuzave të opozitës pas dekretimit të ministrave të rinj duke i cilësuar si shprehje emocionale dhe mendime të vjetruara. Shqipëria është larg kulturës ligjore dhe moralit politik deklaroi kreu i shtetit gjatë një konference për shtyp duke nënkuptuar lidhjet informale mes politikës dhe biznesit.
Alfred Moisiu: E kam ngritur me të madhe çështjen e politikës ligjore dhe marrëdhënieve politike. Formimi i sistemit të financimit të forcave politike dhe të fushatave elektorale dhe këtu ne duhet të marrim shembull taktikat perëndimore, kjo do bëjë të mundur që në zgjedhjet e ardhshme të ketë një ndarje të qartë të politikës nga burimet informale të biznesit dhe të financimit. Sa herë e kam thënë unë mesazhin tim në Kuvendin e Republikës në 18 Dhjetor. Shprehja ime është kjo: Unë shpreh bindjen time dhe besoj në bindjen tuaj dhe të opinionit publik që në listën e emrave të rinj nuk duhet të përfshihen figura të përfolura dhe të akuzuara nga vetë drejtuesit e lartë të ekzekutivit pa dhënë më parë sqarimet publike për ta. Gjatë konsultimeve që kam bërë më kryeministrin për përbërjen e qeverisë, këto probleme janë vënë në dukje nga ana ime, janë debatuar dhe sigurisht kemi arritur në konkluzionin që të gjithë ju i njihni. Unë duke zbatuar kërkesën e kushtetutës kam dekretuar propozimet që ka sjellë kryeministri, gjë e cila sikurse jeni në dijeni u shoqërua pastaj edhe me një sqarim ku unë u përmbahem vërejtjeve të mia për probleme të caktuara. Qëllimi im është dhe mbetet të fusim rend në politik. E dyta në qoftë se ka probleme për këdo qoftë, të mos hidhen si flluska sapuni në ajër, por të çohen deri në fund, të denoncohen në organet përkatëse të drejtësisë dhe secili të marrë atë qe i takon. Asnjë president, që e quan veten president norma, s’mund të vazhdojë të kryejë funksionet e tij në qoftë se nuk do të ketë marrëdhënie me opozitën. Unë mendoj se shprehjet emocionale të disa momenteve të caktuara, nuk mund ti vlerësoj tjetërsoj vetëm si një shprehje e disa mendimeve të cilave u ka kaluar koha.
Në objektivat e presidentit për vitin 2004, parashikohet thellimi i reformës në drejtësi duke shmangur problemet e evidentuara në këtë sistem. Përmirësimi i kodit zgjedhor, duke patur parasysh vërejtjet e ndërkombëtarëve, miratimin dhe zbatimin me konsensus të ligjit të pronave, ngritja e ministrisë së emigracionit për shqiptarët jashtë atdheut, aprovuar edhe nga kryeministri Nano, lufta lundër korrupsionit si edhe nxitja e marrëdhënieve dy apo shumëpalëshe me vendet e rajonit dhe më gjerë në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit, duke patur në vëmendje dhe procesin e integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian./tvklan.al