Ende pa u mbyllur i gjithë numërimi i votave, në kampin opozitar në Maqedoninë e Veriut nisi festa.

Mbështetës të shumtë të VMRO-DMPNE-së dolën në sheshe dhe rrugë për të festuar një nga rezultatet që edhe vetë kandidatja fituese e raundit të parë Gordana Siljanovska-Davkova nuk e kishte pritur.

“Për të qenë e sinqertë, nuk e prisja një ndryshim të tillë kaq të madh”.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Davkova fitoi 40.23 për qind të votave, ndërsa Pendarovski nga Lidhja Social Demokrate në pushtet, fitoi 19.97 për qind të votave.

“Jam krenare për të gjithë, në radhë të parë jam krenar për qytetarët, jo vetëm ata që më kanë votuar, por edhe për të gjithë të tjerët, dhe posaçërisht jam krenar për anëtarët e VMRO-DPMNE-së”, tha Davkova.

“Vlerësimi i përgjithshëm i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, të paktën nga këndvështrimi im, është se rezultatet nuk janë ato që prisnim”, u shpreh Pendarovski.

Ndër 7 kandidatët që garuan në raundin e parë ishin edhe dy shqiptarë, të cilët nuk ia dolën të siguronin votat e nevojshme për të shkuar në balotazh.

Bujar Osmani nga Fronti Evropian mori 13.36 përqind të votave, ndërsa Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN 9.21 përqind të votave.

Në fjalimin pas qartësimit të rezultateve, Osmani i dërgoi një mesazh edhe opozitës shqiptare.

“Ky rezultat tregon se vendimi i opozitës për t’u bërë instrument i përçarjes së votës, ndoshta na pamundëson hyrjen në raundin e dytë”.

Gjithsesi rezultati i arritur nga Osmani për kreun e BDI-së Ali Ahmeti është pozitiv.

“Dallimi midis dy konkurrentëve është mbi 40 mijë. Në të gjitha komunat jemi fitues, por më gëzon Tetova ime. Më 8 Maj, e kam një porosi si vllau vllaut, aty ku rrezikohet edhe një mandat, le të kenë kujdes”.

Pavarësisht këtij rezultati, vota e shqiptarëve pritet të ketë një rol përcaktues në balotazhin e 8 Majit mes Davkovës dhe Pendarovskit të cilët do të përballen në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Sipas rezultateve paraprake, Pendarovskit i nevojitet mbështetja e dy kandidatëve shqiptarë për president, që së bashku kanë siguruar rreth 200 mijë vota, ndërsa Davkovës i mjafton mbështetja vetëm e njërit prej tyre.

Tv Klan