Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Presidenti Mejdani dhe Ministri i Jashtëm Milo janë takuar sot me Presidentin Amerikan Bill Klinton dhe Sekretaren Amerikane të Shtetit Medlin Ollbrajt gjatë punimeve të sesionit të 54 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në takimin me Klinton është biseduar për raportet dypalëshe, prezencën amerikane në Shqipëri dhe në Rajon.

Pakti i Stabilitetit ka qenë në qendër të takimeve të Presidentit Mejdanit edhe me numrin një të OKB-së Kofi Anan, me Kryeministrin Francez Zhospen dhe në takimin e organizuar nga multimiliarderi Xhorxh Soros me biznesmenë amerikanë. Në fjalën e tij para Asamblesë së OKB-së Presidenti Mejdani ka përmendur si prioritet të shtetit shqiptar luftën antikrim dhe antikorrupsion, aderimin në BE dhe në NATO.

Pas masakrave që ndodhën në Kosovë Millosheviçi dhe bashkëpuntorët e tij duhet të dalin në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Hagës, theksoi Mejdani. Ballkani duhet të jetë një zonë e lirë për qarkullimin e njerëzve, ideve kapitaleve dhe mallrave ka vijuar Presidenti Mejdani.

Duke velërësuar rolin e OKB në Kosovë, Presidenti Mejdani ka shprehur mbështetje për forcat politike kosovare në realizimin e një bashkekzistence paqësore mes shqiptarëve dhe pakicave etnike, në bazë të rezolutës së Këshillit të Sigurimit për Kosovën./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame