Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, ka shfrytëzuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për t’i bërë thirrje politikës, për të bashkëpunuar në arritjen e rezultateve pozitive në fushën e reformave dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Presidenti Alfred Moisiu:- “Vlerësoj si shumë të rëndësishme nevojën, për të thelluar më tej frymën e bashkëpunimit midis mazhorancës dhe opozitës, për zgjidhjen e problemeve, sidomos për të shpejtuar punën në drejtim të realizimit të reformës zgjedhore, zgjidhjes së çështjes së pronave, reformën në gjyqësor, lutën kundër krimit e korrupsionit etj. Çdo ashpërsim i debateve politike dhe aq më tepër nxjerrja e tyre jashtë institucioneve, sjell rritje të akteve kriminale siç kanë qenë aktet e fundit të vendosjes së lëndëve eksplozive dhe ato të rikthimit të trafiqeve, dukurive negative”.
Duke huazuar një nga frazat më të përsëritura kohët e fundit nga ndërkombëtarët për Shqipërinë, “progres ka, por shumë mbetet për të bërë”, presidenti ka prekur pikat më kritike të situatës në vend.
Presidenti Alfred Moisiu:- “Lufta ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, duhet të jetë kryefjala e punës tonë të përditshme, e parlamentit, qeverisë, institucioneve, prokurorisë, shërbimeve sekrete etj. Me fitoren kundër tij është e lidhur edhe e ardhmja e integrimit të vendit. Shqipëria vazhdimisht cilësohet si vend transit i trafiqeve dhe problematik për shkallën e krimit të organizuar. Është detyra jonë t’ia heqim vetes këtë njollë. Me gjithë punën e mirë, ende ka shumë gjëra që duhen përmirësuar në këtë drejtim”.
Presidenti Moisiu ka kërkuar thellim të mëtejshëm të reformave në shërbimet sekrete, duke theksuar të domosdoshme shkëputjen përfundimtare të tyre nga politika. Ndërsa në lidhje me drejtësinë, presidenti ka kërkuar funksionim më të mirë të kontrollit të brendshëm të policisë dhe rritjen e bashkëpunimit të saj me organet e drejtësisë./tvklan.al