Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Presidenti i Republikës ka mbledhur në një tryezë përfaqësues të drejtësisë, qeverisë, OJQ dhe komunitetit për të drejtuar një plan emergjent, për goditjen e gjakmarrjes në vend. Ky fenomen, duhet shmangur dhe për më tepër, për momentet që shqiptarët ndodhen dhe në një proces thelbësor që ka të bëjë me të ardhmen e tyre në rajon është shprehur presidenti.

Alfred Moisiu: “Sigurisht që është e pa tolerueshme dhe e dëmshme, çdo përpjekje e autoritetit të ligjit, për të mbuluar paaftësinë e tyre me alibinë e gjakmarrjes, si dhe duke e trajtuar krimin ordiner, si pjesë esenciale të kritikës kombëtare shqiptare. Ne jemi në rrugën e integrimit euroatlantik, Kosova është në rrugën e saj të pavarësisë, për këtë arsye, forcimi i imazhit të vendit është i një rëndësie të dorës së parë, për të garantuar suksesin e këtyre proceseve thelbësore dhe tepër të rëndësishme për të ardhmen e pozitës së shqiptarëve në rajon dhe më gjerë”.

Presidenti ka kërkuar ngritjen e një grupi pune për hartimin dhe realizimin e një plani konkret. Një grup i tillë pune do të drejtohet nga presidenti dhe pritet të ketë degët e tij koordinuese, në rrethet më problematike përsa i përket gjakmarrjes. Takimi ka vijuar më pas me dyer të mbyllura, ku misionarë të paqes, kanë kërkuar që ligji shqiptarë të sanksionojë me dënim maksimal, vrasjet e kryera në emër të gjakmarrjes.

Mentor Kikia: “Konkretisht, ne kërkuam vendosjen e dënimit taksativ, për këdo që vret për gjakmarrje, pra për këdo që vret për gjakmarrje, dënim me burgim të përjetshëm”. Ideja e hedhur është parë si e mundshme nga prokurori Theodhori Sollaku, ndërsa mbetet për të diskutuar në nivele të tjera të drejtësisë dhe ligjvënies./tvklan.al