Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Sot Presidenti Shqiptar Mejdani zhvilloi një vizitë një ditore në Maqedoni, i ftuar nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë Kiro Gligorov. Pas ekzekutimit të himneve të dy vendeve dhe parakalimit ceremonial delegacioni shqiptar në përbërjen e të cilëve ishin dhe nënkryetari i parlamentit Dokle, ministrat Milo, Angjeli, Poçi, si dhe kryetarët e gjykatave Kushtetuese dhe të Lartë Abdiu dhe Kondi.

Në orën 11 e 30 në selinë e kuvendit të Maqedonisë u zhvillua një takim i shkurtër kokë më kokë mes presidenëve, takim i cili u pasua më pas me atë mes dy delegacioneve. Në deklaratën për shtyp të dhënë pas këtyre takimeve nga të dy presidentët u theksua se kjo vizitë bëhët menjëherë pas përfundimit të konfliktit në Kosovë.

Në takim u theksua se plani marshall i kërkuar nga Shqipëria dhe Maqedoni do të jetë edhe për vendet e tjera të rajonit të Ballkanit, përfshirë dhe Serbinë demokratike. Të dy presidentët theksuan se komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështesë fuqimisht Shqipërinë dhe Maqedoninë si vendet më të dëmtuara nga konflikti në Kosovë.

Presidenti Gligorov theksoi pikpamjen maqedonase për një autonomi të zgjeruar dhe pa ndryshime kufijsh për Kosovën. Ndërkohë që Mejdani tha se Shqipëria e sheh të ardhmen e Kosovës në dritën e integrimit europian. Pas një drake pune në orën 15 e 30 vazhduan takimet. Nevoja e rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve dhe për forcimin e stabilitetit ishte një nga temat që presidenti Mejdani zhvilloi me kryeministrin Gjeorgjevski.

Duke u ndalur në problemet e korridorit 8 u theksua nevoja e gjetjes së financimeve, gjithashtu u kërkua ngritja e një rrjeti hekurudhor ku të marrin pjesë Italia, Bullgaria dhe Mali i Zi. Presidenti Mejdani kërkoi që aspekti administrative për ekzekutimin e projekteve të paktit të stabilitetit të mos jetë I rënduar me pengesa demokratike.

Në takimin me kryetarin e Asamblesë Maqedonase Klimovski u fol ndër të tjera dhe për forcimin e mëtejshëm të kontakteve mes dy parlamenteve si dhe u nënvizua ndihma që këto parlamente duhet tu japin qeverive në nxitjen e bashkëpunimit dypalësh.

Një takim të ngrohtë Presidenti Mejdani zhvilloi me përfaqësues të partive politike shqiptare të Maqedonisë të kryesuar nga Arbër Xhaferri dhe Abdurraman Haliti. Në këtë takim u vlerësua kontributi jo vetëm i partive shqiptare të maqedonisë por dhe i komunitetit shqiptar në Maqedoni, në ndihmën e dhënë për të shpërngulurit nga Kosova. Me këtë takim u mbyll dh vizita e delegacionit shqiptar në Maqedoni./tvklan.al