Presidenti i republikës Bamir Topi dhe kryeprokurorja Ina Rama e kanë dëshmuar publikisht bashkëpunimin institucional me mesazhe të qarta mbi atë çfarë po ndodh në pallatet e drejtësisë. Presidenti Topi i çliruar nga përgjegjësitë politike ka kërkuar veçimin e prokurorisë nga politika.
Bamir Topi: “Politika mund të flasi nga ora 7 e ditës së sotme deri në orën 7 të ditës së nesërme. Politika është shumë aktive, flet shumë mburret shumë, bën shumë edhe akuzon shumë. Duhet të bëheni koshient, që nuk mund të ketë më prokurori politike, nuk mund të ketë më influenca politike. Thash që asgjë nuk ka përfunduar, gjithçka është në zhvillim. Një erë e re ka filluar të fryjë për prokurori. Në mënyrë që ajo shprehja të mos ta kapim sikurse tha edhe prokurorja,çështjen post-factum ka shumë raste që mos të kapet post-mortum.”
Presidenti Topi ka deklaruar se sot më shumë se kurrë është koha për konsultim dhe për gjëra që domosdoshmërish nuk kërkohen në kushtetutë. Sipas tij ka ardhur koha që ky institucion të përballet me një reformë për të larguar nga radhët e prokurorisë ata elementë të korruptuar.
Bamir Topi: “Dikush futet me vite për vjedhjen e një celulari, ndërsa të tjerë që mund të kenë bërë vepra kriminale lëvizin të lirë. Zaptues pronash lëvizin të lirë, i zhvillojnë ato, implikojnë në procesin e deformimit të pronave dhe punonjës shtetëror. Implikojnë edhe njerëz të cilët mund t’i kenë emëruar, implikojnë dhe njerëz, ose bashkë implikohen në procese të tilla dhe këto procese sot nuk janë në invencionin e presidentit të republikës për t’i thënë.”
Ina Rama ka bërë publik për herë të parë dhe konstatimet negative të punës së prokurorëve në sallat e gjyqit.
Ina Rama: “Vendosja e një mase arresti në burg padrejtësisht , shndërrohet në një armë për të çuar në abuzime të mëtejshme një gjë që do të ishte e pafalshme. Është se edhe pas vendosjes së tyre organi i prokurorisë kap një gjendje qetësie, fillon heton në mënyrë komode, individi është burg ai nuk largohet, mund të bëjmë veprimet me ngadalë me kujdes.”
Tre vendet vakante në këshillin e prokurorisë janë zëvendësuar me 3 kanditatuara të reja./tvklan.alGazetare: Anduena Llabani