Presidenti i Republikës zoti Bamir Topi ka vizituar pasditen e së shtunës panairin “Klik ekspo klik”, që prej disa ditësh po zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.

Kreu i shtetit ka vlerësuar prezencën në edicionin e 15 të këtij panairi, jo vetëm të kompanive nga rajoni, por edhe atyre që mbërrijnë nga pjesa tjetër e kontinentit, si një shenjë pozitive e konkurrencës në treg.

Bamir Topi: “15 vite nuk janë pak. Korrespondon pikërisht me hapat e para të ekonomisë së tregut në Shqipëri, pra nuk ka ekonomi tregu pa promocion, pa ekspozicion. Unë me këtë rast dëshiroj të gjithë organizatorët grupin “Klik ekspo klik”, të gjitha firmat që marrin pjesë.”

Presidenti Topi ka vizituar më pas të gjitha stendat dhe pavijonet e panairit. Kreu i shtetit është ndalur dhe ka biseduar nga afër me një numër të madh sipërmarrësish shqiptarë dhe investitorësh të huaj pjesëmarrës në ketë panair.

Në kuadër të panairit Presidenti i Republikës, ka dekoruar më pas në Pallatin e Brigadave një sërë sipërmarrjesh dhe përfaqësuesish të suksesshëm shqiptarë dhe të huaj.

Me medaljen “Për merita të veçanta civile” është vlerësuar Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, kompania EHW, dhe “Klik Ekspo Grupi”.

Ndërsa me “Medaljen e Mirënjohjes” u dekorua avokati Xhovani De Genaro, dhe pas vdekjes, Dritan Hoxha ish presidenti i Top Medias./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro