Shkolla politike ka nxjerr brezin e dytë të atyre që u cilësuan liderët e rinj. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrte pjesë presidenti i republikës Bamir Topi, ambasadori i KE Helmuth Lohan, si dhe përfaqësuesi i Këshillit të Europës Fredrich.

Drejtori i shkollës shqiptare për studime politike Olsi Dekovi, vuri theksin në nivelin e përzgjedhjes së studentëve. Një përzgjedhje e kujdesshme dhe në cilësinë e kurrikulës, ndërthurje e debatit me teorinë për shkak të misionit të shkollës, e ngritur për të projektuar udhëheqësit e rinj të vendit.

Olsi Dekovi: “Vlerat që mbart ky brez i shkollës politike, si dhe ai i një viti më parë janë një aset për politikën shqiptare dhe gjithë shoqërinë tonë në përgjithësi. Këta individë synojnë të sjellin në politikën shqiptare, mesazhet e tolerancës, debatit me anë të ideve dhe vlerave dhe jo thjesht fytyra të reja. Kjo është ajo që do të bëjë diferencën.”

Presidenti Topi tha se krijimi i kësaj shkolle është një arritje e madhe në drejtim të standardeve të reja politike.

Bamir Topi: “Uroj që ne ende nuk arrijmë që të marrim plotësisht kualitetet e të qenurit anëtar të një shoqërie euroatlantike është pikërisht realizimi i standardeve në të gjitha fushat. Pra duke ardhur në këtë shkollë besoj është edhe qëllimi dhe misioni i kësaj shkolle, është që të rriten standardet jo vetëm në politikë, por edhe në administratë edhe në ekonomi edhe në universitete. pra kudo ku diskutohet sot për arritjen  e standardeve.”

Përfaqësuesi i këshillit të Europës tha ndër të tjera se kjo gjeneratë liderësh të rinj, do të kontribuojnë në një promovim më të mirë të demokracisë dhe zbatimit të ligjit.

Në të njëjtën linjë ambasadori Lohan, vlerësoi rëndësinë e nxitjes e forcimit të debatit konstruktiv.

Helmuth Lohan: “Ka pritshmëri të ndryshme në mënyrën kritike të të menduarit dhe respektimit të mendimit të tjetrit. Gjë që theksohet edhe në progresraportin e B, nevoja për debat konstruktiv mes partive politike. Jam i sigurtë se ju do të luani një rol të rëndësishëm në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë.”

Për të sapo diplomuarit mesazhi duket të jetë shumë i qartë . Ceremonia ka vijuar me diplomimin e politikanëve të rinj, presidenti Topi dhe ambasadori Lohan dorëzuan diplomat për rreth 35 studentë.

Shkolla u hap në vendin tonë për herë të parë në mars të vitit 2007. Projekt i këshillit të Europës me mbështetjen e KE. Misioni i saj lidhet kryesisht me futjen e një kulture politike moderne, tolerance dhe dialogu dehe kjo nëpërmjet promovimit të liderëve të rinj./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi