Presidenti i republikës ka zhvilluar një takim me anëtarët e Gjykatës së Lartë, i pari ky pas plotësimit të të gjithë vendeve vakante në këtë institucion.

Pasi ka shprehur vlerësim maksimal për të gjithë gjyqtarët që përbëjnë organin më të lartë të pushtetit gjyqësor si ata të zgjedhur rishtas, ashtu edhe ata që mbajnë këtë detyrë prej disa vitesh Topi ka kërkuar nga ata të bëhen pjesë e debatit profesional dhe jo atij politik për reformën në pushtetin gjyqësor.

Bamir Topi: “Do ishte jo e këndshme që anëtarët e Gjykatës së Lartë , qoftë edhe anëtarët e gjykatave të tjera të rrinë indiferentë kur diskutohen pikërisht çështjet shumë të rëndësishme të reformimit të pushtetit gjyqësor. Kjo jo për retorikë politike, por unë besoj që kërkohet dhe nga aktorët politikë, të cilët e kanë shprehur që vendimmarrja politike është ajo, e cila i vendos në mënyrë definitive gjërat në ligj, por gjatë këtij procesi është shumë e rëndësishme që të dëgjohet zëri i juristëve”.

Presidenti i republikës ka kërkuar nga anëtarët e Gjykatës së Lartë të ndryshojnë imazhin e keq që ka sot pushteti gjyqësor në tërësi.

Bamir Topi: “Atë që presin të gjithë qytetarët shqiptarë që t’i garantohet e drejta, t’i garantohet pikërisht ajo që ai pret në një sistem demokratik ku pushteti gjyqësor t’i largohet sa më shumë dhe përfundimisht aferave korruptive”.

Duke e cilësuar si proces tepër të rëndësishëm kreu i republikës ka deklaruar se është duke përfunduar procesi i përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës së Lartë.

Topi nuk ka preferuar të japë emra konkretë se kush do të zërë vendin e Thimio Kondit në Gjykatën e Lartë, megjithatë ka deklaruar se ky do të jetë një proces i shpejtë dhe i konsoliduar./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka