Presidenti i republikës, Bamir Topi, i bëri apel opozitës që t’i japë fund bojkotit të Kuvendit.

Pas një takimi me homologun e tij slloven, Danilo Tyrk, kreu i shtetit shqiptar tha gjithashtu se mungesa e opozitës në parlament nuk duhet të ndikojë në kërkesën e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.

Bamir Topi: “Unë besoj që demokracia në Shqipëri funksionon, natyrisht institucionet konsolidohen çdo ditë dhe besoj që nuk do të ketë elementë substancial kontestues që do të pengojë rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE.”

Topi tha se shpresonte në vendosjen sa më të shpejtë të dialogut me opozitën, pasi siç theksoi ai, pa një dialog politik nuk mund të zgjidhen çështje të cilat janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit.

Bamir Topi: “Presidenti i Shqipërisë natyrisht që ka bërë apelet e duhura siç i takon kreut të shtetit që të forcohet dialogu, të rivendoset dialogu politik, sepse në një vend demokratik pa dialog politik. Nuk mund të ketë shanse për zgjidhje.”

Takimi mes dy krerëve u fokusua në marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimet tregtare dhe situatën në rajon.

Po kështu, dy presidentët do të jenë të pranishëm edhe në Konferencën e Biznesit shqiptaro-slloven, ku theksi do të vihet në forcimin dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik si dhe gjetjen e mundësive të reja për tërheqjen e investimeve reciproke, si dhe ato të huaja në kuadrin rajonal.

Në këtë vizitë zyrtare, presidenti Topi do të zhvillojë takime edhe me kryeministrin slloven, Borut Pahor, me kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Pavel Gandar, si dhe me kryebashkiakun e Ljubljanës, Zoran Jankoviç dhe atë të Bledit, Janec Fajfar./tvklan.al