Analistë e studiues shprehen skeptik në lidhje me arritjen e një marrëveshje kushtetuese mes mazhorancës dhe opozitës që mund të çojë në zgjidhjen përfundimtare të ngërçit politik.
Zgjidhje kjo që ditët e fundit ka angazhuar jo vetëm kreun e shtetit si moderatori mes palëve, por dhe vetë faktorin ndërkombëtar, i cili sërish i bëri thirrje opozitës ti japë fund bojkotit dhe të kthehet në Parlament.
Për studiuesin Artan Hoxha, dy janë variantet më të mundshme që mund të dalin nga këto negociata.
Në rastin më të mirë thekson zoti Hoxha, një marrëveshje që ai preferon ta quaj hipokrite, e që sipas tij do të bëhet për të qetësuar faktorin ndërkombëtar.
Por pritshmëria më e madhe për të duke marrë në konsideratë përplasjet mes palëve është dështim i arritjes së marrëveshjes.
Artan Hoxha: “Pritshmëria e ime e parë me probabilitet më të lartë është dështimi i arritjes së një mirëkuptimi dhe një marrëveshje mes palëve. Ky konkluzion ushqehet nga ecuria e sjelljes, e përplasjes së tezave të të dyja palëve deri në këtë moment që flasim. Gjithsesi nuk përjashtoj mundësinë e arritjes së një të ashtuquajturi sukses që unë do ti vija epitetin sukses hipokrit. Hipokrit sepse marrëveshja e vërtetë nuk do të jetë ky tekst, por do të jetë pranimi në heshtje nga palët që të kalojmë këtë moment dhe ta zhvendosim konfliktin pas disa javësh. Të bëjmë një akt fisnik përpara ndërkombëtarëve, jo përpara popullit dhe ta zhvendosin konfliktin në periudhën e ardhshme. Do të ketë një marrëveshje që nuk ke nga ta kapësh, si tenxherja që nuk ka vegjë.”
Qëndrimi i studiuesit Hoxha vjen në një kohë kur as takimi me përfaqësuesit e komitetit presidencial të Asamblesë së Këshillit të Evropës gjatë qëndrimit 2 ditor në Tiranë nuk arriti të prodhojë një zgjidhje mes palëve.
Gjithashtu ai konvergon dhe me një tjetër deklaratë të bërë pasditen e së martës nga nënkryetari i grupit të socialistëve në parlamentin evropian Swoboda, i cili i thirrur nga kryesocialisti Rama ka dhënë propozime konkrete për zgjidhen e ngërçit politik, ku i kërkon opozitës të hyjë në Parlament dhe ndërkohë çështja e hapjes apo jo e kutive të marrë përgjigje nga Komisioni i Venecias, i cili mund të shprehet për këtë çështje në një kohë të përshpejtuar./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro