Komiteti presidencial i asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, u shpreh qartë për zgjidhje kushtetuese të situatës politike në Shqipëri.

Pas një të hëne të gjatë negociatash delegacioni tha se doli në përfundimin se zgjidhja e krizës politike duhet të bazohet në disa principe politike të cilat i lexoi, presidenti i asamblesë parlamentare, Mevlyt Cavushollu

Mevlyt Cavushollu: “Krijimi pa vonesa të mëtejshme i Komisionit Hetimor Parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009,  i drejtuar nga përfaqësuesit e opozitës, dhe në të cilin opozita të ketë një mazhorancë efektive. Opozitës duhet ti garantohet një ndarje e drejtë e kryesimit të komisioneve parlamentare. Për sa u takon termave të referencës së komisionit hetimor delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës vuri re se të dyja palët ranë dakord se duhet trajtuar sipas sistemit kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Delegacioni  konsideron se kjo është e mjaftueshme për të mundësuar që opozita të marrë pjesë në mënyrë të përhershme në punimet e Parlamentit.  Kjo i kërkon atyre ta bëjnë këtë pa vonesa të mëtejshme.”

Por pika e nxehtë e debatit që mban ende peng marrëveshjen politike lidhet me hapjen ose jo të kutive të votimit.

Një çështje për të cilën vetë delegacioni i KiE e ka një zgjidhje, por pret që të jenë dy partitë e mëdha ato që të vendosin.

Presidenti Mevlyt Cavushollu, kujtoi gjykatën kushtetuese dhe komisionin e Venecias, si organizma që mund të bëjnë interpretimin kushtetues të saj.

Mevlyt Cavushollu: “Pikësëpari njerëzit duan të shohin partitë në Kuvend. Vendi i tyre është aty ndaj dhe i votojnë.  Nëse ka mosmarrëveshje ato duhet të zgjidhen sipas sistemit kushtetues. Vendi ka një Gjykatë Kushtetuese dhe kemi disa mekanizma këshillues siç është Komisioni i Venecias që nëse do të duhen do ti vëmë në funksion, por në këtë fazë ne po presim një progres pozitiv ndaj dhe nuk i përmendëm.”

Duke mos përjashtuar faktin se palët në negociata  ishin në një linjë me principet e cituara në deklaratë , delegacioni i mëshoi disa herë apelit për futjen në Kuvend të opozitës pa vonesa të mëtejshme dhe në mënyrë përfundimtare./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi