Prezantohet projekti për rehabilitimin e lumit të Lanës, nga Pallati me Shigjeta te kryqëzimi me Rr. “Teodor Keko”. Gjatë fjalës së mbajtur, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky projekt i cili është vijim i punëve të nisura dhe të kryera nga Edi Rama në vitet 2000-2011, shënon edhe një kapitull të ri për transformimin e qytetit.
Vëliaj kërkoi që 317 familjet që preken nga realizimi i këtij projekti të mos përdoren si mish për top nga politika pasi do të trajtohen me bonus qeraje për tre vite dhe më pas do të marrin një banesë të re që do të ndërtohet nga bashkia e Tiranës, përfshirë edhe ata me objekte të palegalizuara.
Erion Veliaj: Unë nuk bëhem dot ‘babysitter’ i çdo fëmije që humbet me 60 mijë vota diferencë në Tiranë dhe që llastohet pafundësisht për një humbje që nuk e pranon dot. Qytetarëve di t’u them se kush bashkëpunon i pari, do të përfitojë i pari.
Duke iu referuar mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak, Veliaj tha se pavarësisht trazirave dhe grushteve, vendimet do të merren në të mirë të qytetit.
Erion Veliaj: Pavarësisht se grushti banal errësoi vendimet e Këshillit Bashkiak, por një nga vendimet ishte transferimi i Gjykatës së Lartë në fillim të Bulevardit të Ri.
Projekti për rehabilitimin e lumit të Lanës përfshin zgjatjen e dy bulevardeve kryesore, “Gjergj Fishta” dhe “Bajram Curri”, të cilat do të shtrihen paralel me Lanën.
Tv Klan