Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës Dritan Prifti ka garantuar mbajtjen nën kontroll të situatës hidrike në kaskadën e Drinit. Në një konferencë për shtyp ai sqaroi se në hidrocentralin e Fierzës janë ndalur shkarkimet dhe se niveli i ujit është ulur me 75 centimetra. Ndërsa në Koman dhe Vaun e Dejës janë ulur shkarkimet, por jo niveli i ujit.
“Situata është nën kontroll. Shqetësimi i jonë në 24 orët e fundit ka qenë ulja e nivelit të ujit në liqenit të Fierzës. 296 është niveli maksimal i tij dhe mbi atë nivel ne rrezikojmë deri në një katastrofë kombëtare. Ne i kemi ulur shkarkimet sot, por varet nga moti i ditëve në vijim”, tha Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës.
Sipas zotit Prifti, në kaskadën e Drinit gjatë 24 orëve të fundit është prodhuar 28.8 milionë kw/orë energji, prej së cilës janë konsumuar 23.2 milionë. Ai tha se KESH-i ka arritur të eksportojë për herë të parë sasinë më të madhe të energjisë elektrike, që kap shifrën e 12.2 milionë kw/orë .
Duke e ftuar opozitën që të japë kontributin e saj në menaxhimin e situatës, ministri i energjetikës ka komentuar dhe qëndrimet e saj të fundit, duke i quajtur ato të papërgjegjshme dhe tërësisht politike.
“Disa përfaqësues të opozitës flasin për përgjegjesi qe nuk ekzistojne. Ne I bejme thirrje asaj qe te mbeshtese menaxhimin e situates dhe të mos lutet për të patur katastrofa kombëtare. Unë kam thirrur në takime private ekspertët më të mirë që ka Shqipëria. Kam patur tërë këto ditë konsulta si me Farudin Hoxhën edhe të tjerë që kanë projektuar Fierzën dhe hidrocentralet e tjera. KY nuk eështë momenti për të bërë karagjozllëqe politike dhe për të bërë abuzime nga njerëz që janë totalisht injorantë në këtë sektor”, e përmbylli Prifti.
Tv Klan