Prilli i këtij viti ishte më i nxehti deri më sot, mes muajve Prill që kur kanë nisur të regjistrohen temperaturat. Sipas Agjencisë Europiane për Ndryshimet Klimatike Kopernikus, temperatura mesatare e Prillit 2024 ishte 1.58 gradë Celsius më e ngrohtë se të njejtët muaj, duke nisur nga vitet 1850.

Prilli i këtij viti shënoi temperatura deri në 30 gradë Celsius nëpër Europë, tipike verore, ndonëse është muaji i dytë i Pranverës. Temperatura të tilla të larta për këtë periudhë shkaktuan çrregullime të motit, që u karakterizuan nga përmbytje masive si ato në Brazil apo Emiratet e Bashkuara Arabe.

Prilli ishte i 11 muaj radhazi që shënoi rekorde të mesatareve të nxehtësisë, krahasuar me pararendësit ndër vite. Temperatura mesatare këtyre muajve, duke nisur nga Qershori i 2023-shit kapërceu objektivin e Samitit të Parisit për Klimën i vitit 2015, kur krerët e 200 vendeve pjesëmarrëse u zotuan të merrnin të gjitha masat për të mos lejuar kapërcimin e kufiritit të rritjes së temperaturës mesatare globale me më shumë se 1.5 gradë Celsius.

Shkencëtarët thonë se çrregullimet klimatike janë pasojë e çlirimit shumë herë mbi normat, të gazrave karbonikë nga automjetet apo industria, që rrezikojnë t’i shkaktojnë klimës globale pasoja negative të pakthyeshme.

Tv Klan