Beqir Caushaj, protagonisti i “Ka Një Mesazh Për Ty” u shpreh në fillim të rubrikës së të “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se fizikisht jeton në Ohajo, SHBA por shpirtërisht në Shqipëri. Kjo deklaratë i bëri përshtypje moderatorit Ardit Gjebrea pasi Beqiri është një ish i internuar i regjimit të diktaturës.
Asokohe, pushteti e internoi familjen e tij në Dhëmblan të Tepelenës. Emri i fshatit i solli ndërmend moderatorit një kujtim fëmijërie me të atin i cili në kartolinat e Vitit të Ri dërgonte një të tillë për një tjetër të internuar në atë fshat. Përtej rrezikut, babai i Ardit Gjebreas nuk harronte kurrë një urim për Thoma Delianën, ministrin e Arsimit të kohës.
Beqir: Kam lindur në Vlorë. Na kanë internuar nga Vlora në fshatin tonë në Dhëmblan, Tepelenë në vitin 1968, diçka e tillë.
Ardit Gjebrea: Për cilin motiv?
Beqir: Dy xhaxhallarët e mi ishin arratisur në Amerikë pas Luftës Nacional-Çlirimtare që quhet.
Ardit Gjebrea: Në sytë e një fëmije, si ishte ai fshat?
Beqir: Në sytë e një fëmije në atë moshë që unë jam internuar në fshat ishte një vend i zymtë, ishte një vend për mua pa perspektivë.
Ardit Gjebrea: Kishte shumë të internuar të tjerë?
Beqir: Jo, vetëm ne kemi qenë. Shumë vite më vonë kanë prurë të internuar edhe Thoma Deliana që ka qenë ministër i Arsimit në një kohë.
Ardit Gjebrea: Thoma Deliana!
Beqir: Po, ka qenë në fshatin tonë i internuar.
Ardit Gjebrea: Më kujtohet, edhe unë kam qenë i vogël si ju dhe babai im më çonte për Vit të Ri të postoja kartolinat në postë dhe në një moment merr një prej tyre dhe e fsheh mes kartolinave të tjera dhe më thotë “shumë kujdes këtë kartolinë kur ta postosh, mos të të shohin”. Dhe ishte një kartolinë urimi për Thoma Delianën dhe mua më bëri shumë përshtypje “Dhëmblan, Tepelenë” dhe për herë të parë më është fiksuar Dhëmblan, Tepelenë nga Thoma Deliana kjo kartolinë që edhe pse i internuar, babai im e kujtoi dhe ia çonte duke i uruar “Gëzuar Vitin e Ri!”/tvklan.al